35 vite shtet, 215 mijë banorë më pak: Maqedonia po plaket dhe po zbrazet!

Nga mbi 2 milionë banorë në vitin 1991, Maqedonia sot ka vetëm 1.819.074. Në dhjetë vitet e fundit, popullsia është zvogëluar me 95.813 persona – sa një qytet i madh.
Vendi jo vetëm po zbrazet, por edhe po plaket. Përqindja e fëmijëve deri në 14 vjeç ka rënë nga 20,2% në 16,2%, ndërsa ajo e personave mbi 65 vjeç është rritur nga 11,7% në 18,8%.
Kjo krizë shihet qartë edhe në shkolla: gjatë 25 viteve të fundit, arsimi fillor ka humbur 75.335 nxënës, ose mbi 30%. Pas këtyre shifrave qëndrojnë lindjet e pakta, familjet e larguara dhe mungesa e perspektivës.
Edhe familja ka ndryshuar: krahasuar me vitin 1994, martesat janë zvogëluar me rreth një të tretën, ndërsa divorcet janë rritur me mbi 250%.
Paga mesatare është rritur nga rreth 3.700 në afro 50 mijë denarë, por njëkohësisht janë shtrenjtuar ushqimet, banesat dhe shërbimet. Prandaj, një pagë më e lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht jetë më e mirë.
Pas 35 vitesh pavarësi, mijëra të rinj vazhdojnë të largohen, shkollat mbeten pa nxënës, fshatrat zbrazen dhe qytetet plaken.
Sfida më e madhe e Maqedonisë nuk është vetëm ekonomia, politika apo integrimi evropian, por nëse pas disa dekadash do të ketë mjaftueshëm njerëz për ta mbajtur gjallë shtetin.
Sepse rrugët, urat dhe shkollat mund të ndërtohen, por jo fëmijët që nuk kanë lindur dhe qytetarët që janë larguar.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



