Situatë jashtë kontrollit në disa qytete, Franca vendos kufizime për fëmijët
Për shkak të një vale të re dhune të lidhur me trafikun e drogës që ka tronditur Francën, disa qytete kanë vendosur shtetrrethim për të miturit gjatë natës. Qyteti më i fundit që ka marrë këto masa është Nîmes, në jug të vendit, ku fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen në rrugë nga [...]Read More...

Për shkak të një vale të re dhune të lidhur me trafikun e drogës që ka tronditur Francën, disa qytete kanë vendosur shtetrrethim për të miturit gjatë natës.
Qyteti më i fundit që ka marrë këto masa është Nîmes, në jug të vendit, ku fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen në rrugë nga ora 21:00 deri në 06:00. Autoritetet kanë theksuar se kjo masë është marrë për t’i mbrojtur ata nga dhuna dhe për të ulur tensionet. Policia do të shtojë praninë e saj në terren.
Kryetari i bashkisë së Nîmes, Jean-Paul Fournier, tha se situata ka arritur një pikë “të papërballueshme”, duke shtuar se trafikantët e drogës kanë krijuar një “klimë frike dhe terrori”. Zëvendësi i tij, Richard Schieven, theksoi se kufizimet janë të nevojshme për të mbrojtur fëmijët që nuk janë të përfshirë në trafik, si dhe ata të moshës 12-13 vjeç që shpesh shfrytëzohen nga bandat.
Në këtë qytet janë shënuar disa incidente të dhunshme gjatë muajit të fundit, përfshirë të shtëna me armë dhe një 19-vjeçar të gjetur të djegur në periferi.
Nîmes nuk është qyteti i vetëm që ka marrë masa të tilla. Në Béziers, 120 kilometra në jugperëndim, ka qenë në fuqi një shtetrrethim për fëmijët nën 13 vjeç që nga viti i kaluar dhe këtë mars u zgjeroa për ata nën 15 vjeç në disa zona. Megjithatë, dhuna vazhdon. Gjatë fundjavës së kaluar, disa të rinj sulmuan policinë me fishekzjarrë, sipas mediave lokale.
Në Limoges, autoritetet kishin vendosur kufizime për fëmijët nën 13 vjeç gjatë pushimeve të verës. Por, pas trazirave me mbi 100 persona, kryebashkiaku Émile Roger Lombertie deklaroi se këto masa nuk kishin dhënë rezultat dhe theksoi se mungesa e policisë i kishte bërë këto kufizime “të pavlefshme”.
Franca po përballet gjithashtu me një rritje të dhunës të lidhur me drogën jashtë Marsejës, e njohur si qendra e luftës mes bandave. Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit 2024, 110 persona janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në incidente të lidhura me trafikun e drogës.
Për të përballuar këtë krizë, qeveria franceze ka miratuar një ligj të ri që parashikon burgje me siguri maksimale për bosët e drogës, krijimin e një prokurorie të dedikuar, fuqizimin e hetuesve dhe mbrojtjen e posaçme për informatorët.
Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, njoftoi se 17 trafikantë të rrezikshëm janë transferuar tashmë në burgun me siguri të lartë në Vendin-le-Vieil, në veri të Francës.
Në pranverë, disa sulme me armë dhe zjarr në burgje u lidhën me hakmarrje të bandave për goditjen e qeverisë ndaj trafikut të drogës. Me rritjen e tensioneve, autoritetet pritet të ndërmarrin masa të tjera për të përballuar situatën.