Këto janë sportet më të preferuara në Zvicër

Banorët e Zvicrës vazhdojnë të jenë shumë aktivë në sport, ndërsa aktivitetet në natyrë mbeten ndër më të preferuarat në vend.
Studimi i ri “Sport Schweiz 2026” tregon se ecja, çiklizmi, noti, skijimi dhe vrapimi janë pesë aktivitetet sportive më të popullarizuara në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Rreth 52 për qind e popullsisë konsiderohet shumë aktive në sport, që do të thotë se ushtrojnë disa herë në javë dhe të paktën tri orë gjithsej. Ndërkohë, 17 për qind deklarojnë se nuk merren fare me sport.
Edhe pse pesë aktivitetet tradicionale vazhdojnë të dominojnë, krahasuar me vitin 2020 ato kanë humbur pak nga popullariteti. Në gjashtë vitet e fundit është rritur dukshëm interesimi për ushtrimet e forcës dhe jogën.
Studimi tregon gjithashtu se niveli i aktivitetit ndryshon sipas moshës. Më aktivët janë personat nga 15 deri në 24 vjeç dhe ata nga 65 deri në 74 vjeç, ndërsa aktiviteti më i ulët regjistrohet te grupmosha 35 deri në 54 vjeç.
Në krahasim me vendet e tjera evropiane, Zvicra vazhdon të renditet ndër vendet me popullsinë më aktive në sport.
The post Këto janë sportet më të preferuara në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



