SRF për kandidatët opozitarë nga Zvicra në Zgjedhjet e Kosovës, më 9 shkurt
SRF në magazinën e tij kryesore informative "10 vor 10" ka transmetuar një kronikë mbi fushatën e opozitës për tu kthyer në pushtet, në Kosovë The post SRF për kandidatët opozitarë nga Zvicra në Zgjedhjet e Kosovës, më 9 shkurt appeared first on Albinfo.

Mediat zvicerane, përfshirë këtu edhe televizionin publik (SRF) i kanë kushtuar vëmendje të konsiderueshme zgjedhjeve parlamentare të Kosovës që mbahen më 9 shkurt. Kjo, kryesisht për shkak të përfshirjes së shqiptarëve të Zvicrës në këto zgjedhje, gjegjësisht shndërrimit të Zvicrës në “arenë” të garës zgjehdore kosovare, shkruan albinfo.ch.
Transmetuesi publik i Zvicrës, SRF në edicionin e mbrëmshëm të magazinës së tij kryesore informative “10 vor 10” ka transmetuar një kronikë nga korrespondenti i tij për Evropën Juglindore, mbi fushatën e opozitës për tu kthyer në pushtet, në Kosovë. Si ilustrim për këtë ka marrë dy kandidatë nga komuniteti shqiptar i Zvicrës, Ragip Xhakën që garon për PDK-në dhe Ramadush Eminin, për LDK-në.
Të kujtojmë: Para kësaj, një kronikë të ngjashme SRF kishte dhënë javë më parë edhe për fushatën e zhvilluar në Zvicër (Cyrih) të partisë që është në pushtet në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje, duke ju referuar tubimit të madh të kësaj partie dhe kreut të saj, Kurtit, në Cyrih.
“Në Kosovë, partitë konservatore duan të kthehen në pushtet – dhe po dërgojnë kandidatë nga Zvicra në garë”, thuhet në fillim të kronikës.
Rreth një e treta e të gjithë votuesve të Kosovës jetojnë jashtë vendit. Ata janë vendimtarë për rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Por funksionon edhe anasjelltas: për të marrë vota, partitë dërgojnë në garë zvicerano-kosovarë të suksesshëm. Më i njohuri prej tyre është Ragip Xhaka, babai i futbollistëve Granit Xhaka (Bayer Leverkusen) dhe Taulant Xhaka (FC Basel).
Të takosh Ragip Xhakën për një intervistë nuk është aq e lehtë. Ai dhe djemtë e tij nuk kanë pasur vetëm përvoja të mira me median. Më në fund takohemi në hotelin elegant Swiss Diamond në Prishtinë. Në fillim ai dëshiron të flasë vetëm shqip para kamerës për të shmangur çdo keqkuptim gjuhësor, transmeton albinfo.ch. Më në fund ai bindet të bëjë deklarata në gjuhën gjermane: “Dua të jem urë lidhëse mes Kosovës dhe Zvicrës. Mijëra bashkatdhetarë jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Unë dua të jem zëri i tyre, këtu në Parlament”. Dhe ai, siç e thotë, do të jetë në gjendje të ndihmojë të gjithë ata që duan të investojnë në Kosovë, në biznes dhe sport.
Ragip Xhaka ka mbajtur tre vjet e gjysmë burg në Jugosllavi dhe atje eshtë torturuar sepse, siç thotë ai, donte të demonstronte në mënyrë paqësore. Pas lirimit nga burgu, ai iku në Zvicër me gruan e tij – sot ai është një sipërmarrës imobiliar. Në momentin e arratisjes ai ishte tashmë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila tani është partia më e fortë opozitare (kështu shprehet gazetari zviceran, ndonëse PDK është themeluar më vonë. v.j.).
Lideri prej kohësh i partisë, Hashim Thaçi, aktualisht po përballet me akuza për krime të dyshuara lufte para një gjykate speciale në Hagë. Partia e tij pret shumë nga kandidatura e Xhakës. “Për ne Ragipi mishëron trimërinë, disiplinën dhe suksesin”, thotë një anëtar i PDK-së.
Partia e dytë më e fortë opozitare është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ajo po dërgon në garë Ramadusch Emini, i cili drejton një kompani teknologjie ndërtimi me 60 punonjës në Dietlikon (ZH). Ai gjithashtu e sheh një vend parlamentar kryesisht si një mundësi për të promovuar investimet në Kosovë.
Por jo vetëm kaq. “Po kandidoj sepse dua të ndryshoj diçka. Do të doja të prezantoj sistemin arsimor zviceran në Kosovë”. Ai i trajnon vetë njerëzit në kompaninë e tij dhe këtë përvojë dëshiron ta sjellë në vendlindjen e tij të vjetër, shpjegon ai në banesën e tij luksoze në qytetin e Vitisë në jugperëndim të Kosovës, përcjell albinfo.ch. Ashtu si Ragip Xhaka, ai dëshiron të mbetet rezident në Zvicër nëse zgjidhet.
Emini nuk ka shumë koniseratë për qeverinë aktuale të majtë të Albin Kurtit. “Ai nuk ka bërë asgjë në katër vitet e fundit. Kjo është arsyeja pse ne jemi kaq të interesuar për të ndryshuar qeverinë”.
“Por nuk do të jetë e lehtë. Sipas një sondazhi, partia e majtë në pushtet Vetëvendosje do të merrte 51 për qind, PDK do të merrte 19 për qind dhe LDK do të merrte 15.5 për qind”, shprehet gazetari zviceran në përmbyllje të kronikës.
The post SRF për kandidatët opozitarë nga Zvicra në Zgjedhjet e Kosovës, më 9 shkurt appeared first on Albinfo.