Sulme ajrore ruse në Kiev/ Dëmtime të mëdha në infrastrukturën energjetike dhe viktima në Zaporizhzhia

Sulme të natës me raketa dhe dronë nga forcat ruse kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në zona të mëdha të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Sipas kryebashkiakut të qytetit, Vitali Kliçko, në lagjet lindore të qytetit banorët janë përballur me mungesë të energjisë dhe ndërprerje të furnizimit me ujë. Në total, në Kiev janë raportuar nëntë [...]Read More...

Sulme ajrore ruse në Kiev/ Dëmtime të mëdha në infrastrukturën energjetike dhe viktima në Zaporizhzhia

Sulme të natës me raketa dhe dronë nga forcat ruse kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në zona të mëdha të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Sipas kryebashkiakut të qytetit, Vitali Kliçko, në lagjet lindore të qytetit banorët janë përballur me mungesë të energjisë dhe ndërprerje të furnizimit me ujë. Në total, në Kiev janë raportuar nëntë të plagosur, pesë prej të cilëve janë shtruar në spital.

Ndërkohë, në rajonin e Zaporizhias në juglindje të Ukrainës, një fëmijë shtatëvjeçar humbi jetën nga një tjetër sulm me dron rus, njoftoi guvernatori rajonal, Ivan Fedorov. Ai konfirmoi gjithashtu se tre persona të tjerë u plagosën si pasojë e goditjeve të rënda gjatë natës.

Forcat ruse kanë intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës javët e fundit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për veprime konkrete nga aleatët për të frenuar agresionin rus. “Nuk mjaftojnë gjestet simbolike nevojiten veprime vendimtare nga SHBA, Europa dhe vendet e G7 për të furnizuar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe për të zbatuar sanksione reale,” shkroi ai në një postim në platformën X.

Zelensky deklaroi se mbi 450 dronë dhe më shumë se 30 raketa janë përdorur për të goditur infrastrukturën energjetike të vendit, duke i quajtur këto sulme “të qëllimshme, cinike dhe të drejtuara kundër gjithçkaje që e bën jetën normale, sidomos në kushtet kur temperaturat po bien”.

Ministrja e Energjisë e Ukrainës, Svitlana Hrynchuk, tha se Rusia po kryen një “sulm masiv” ndaj rrjetit energjetik dhe ekipet e riparimeve po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji.

Sulmet kanë dëmtuar gjithashtu edhe ndërtesa banimi në Kiev. Pamje të publikuara nga shërbimet emergjente tregojnë zjarrfikësit teksa luftojnë me flakët në një pallat 10-katësh.

Këto sulme pasojnë netë të tëra me alarm për sulme ajrore në rajone që pjesërisht kontrollohen nga Rusia. Ukraina mbetet në alarm për raketat hipersonike Kinzhal, të cilat janë më të vështira për t’u zbuluar dhe ndalur.

Presidenti Zelensky paralajmëroi se Rusia po përpiqet me qëllim të shkatërrojë rrjetin energjetik të vendit, ndërsa sulmet tashmë kanë filluar të ndikojnë edhe në objektet e gazit. Ai tha se autoritetet dhe punonjësit e energjisë po përgatiten për sulme të mëtejshme./abcnews.al