Sulmet e Izraelit në Gaza, Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë
Kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu pritet të diskutojë planin për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës. Sipas autoriteteve lokale të shëndetësisë, të paktën 30 persona u vranë të dielën nga të shtënat dhe bombardimet, përfshirë 13 që po përpiqeshin të merrnin ushqim pranë një pike ndihme në pjesën qendrore të Gazës dhe [...]Read More...

Kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu pritet të diskutojë planin për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës. Sipas autoriteteve lokale të shëndetësisë, të paktën 30 persona u vranë të dielën nga të shtënat dhe bombardimet, përfshirë 13 që po përpiqeshin të merrnin ushqim pranë një pike ndihme në pjesën qendrore të Gazës dhe dy të tjerë brenda një shtëpie në qytetin e Gazës.
Një ditë më parë, të paktën 15 persona, mes tyre pesë fëmijë, u vranë nga një sulm mbi një ndërtesë banimi në qendër të qytetit. Banorët e lagjes Sheikh Radwan thanë se zona ishte nën zjarr të pandërprerë tankesh dhe bombardime ajrore gjatë së shtunës dhe së dielës, duke detyruar shumë njerëz të kërkojnë strehë në pjesën perëndimore.
Ushtria izraelite ka intensifikuar gradualisht operacionet rreth qytetit gjatë tre javëve të fundit dhe të premten shpalli fundin e pauzave të përkohshme që lejonin shpërndarjen e ndihmave, duke e shpallur zonën “fushëbetejë të rrezikshme”. Një zyrtar izraelit tha se kabineti i sigurisë do të mblidhet për të vendosur hapat e ardhshëm të ofensivës për të marrë kontrollin e qytetit, që Netanyahu e ka cilësuar si bastioni i fundit i Hamasit.
Ndërkohë, Netanyahu konfirmoi se ushtria izraelite kishte goditur Abu Ubaidën, zëdhënësin e krahut të armatosur të Hamasit, por shtoi se ende nuk dihet rezultati i sulmit. Abu Ubaida, i njohur si Hozayfa Al-Khalout, është një figurë e rëndësishme e Hamasit prej dy dekadash dhe njihet për komunikimet e tij publike nëpërmjet videomesazheve.
Kryetarja e Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric, paralajmëroi se një evakuim i qytetit do të sillte një zhvendosje masive të popullsisë që asnjë zonë tjetër e Rripit të Gazës nuk është e përgatitur të përballojë, mes mungesave të theksuara të ushqimit, strehimit dhe furnizimeve mjekësore. Rreth gjysma e mbi 2 milionë banorëve të enklavës ndodhen aktualisht në qytetin e Gazës, ndërsa mijëra të tjerë janë larguar drejt zonave qendrore dhe jugore.
Autoritetet shëndetësore raportojnë se mbi 63 mijë persona, kryesisht civilë, janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite, ndërsa të dielën u konfirmua vdekja e shtatë personave të tjerë nga uria dhe kequshqyerja, duke e çuar në 339 numrin e viktimave nga mungesa e ushqimit, mes tyre 124 fëmijë. Izraeli ka vënë në dyshim shifrat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Protestat në Izrael për lirimin e pengjeve dhe kundër vazhdimit të luftës janë shtuar në javët e fundit, ndërsa ushtria ka paralajmëruar qeverinë se ofensiva mund të rrezikojë jetën e tyre. Lufta nisi më 7 tetor 2023, pas një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Besohet se vetëm 20 nga 48 pengjet e mbetura janë ende gjallë