Dënuar me burg të përjetshëm për sulmin në Banjë: dy bashkëpunëtorë të Radojçiqit dhe një tjetër me 30 vjet

Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq dënuan me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për sulmin e armatosur në Banjë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në vitin 2023. Dushan Makismoviq dënua me 30 vjet burgim sipas raportimit të Radio Evropa e Lirë.
Gjykata theksoi se qëllimi i grupit të armatosur në Banjë ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës, duke tentuar të shkëpusë pjesën veriore të territorit të Kosovës për të bashkëvepruar me Serbinë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i gjykatës dërgoi një mesazh të qart se kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj do të përballet me drejtësinë.
Kosova ka karakterizuar sulmin si akt terrorizmi dhe e ka akuzuar Serbinë për përfshirje, por Beogradi e ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve në Prishtinë. Gjykata vendosi të veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Makismoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit.



