Vaud ul taksat me 12%, por mbetet ndër kantonet më të shtrenjta në Zvicër

Qytetarët e kantonit zviceran të Vaudit votuan pro uljes së taksave me 12%, e cila do të hyjë në fuqi nga viti 2027. Megjithatë, edhe pas kësaj uljeje, barra tatimore do të mbetet mbi mesataren kombëtare.
Pavarësisht vendimit në referendum, Vaud do të vazhdojë të jetë ndër tri kantonet me taksat më të larta në Zvicër, së bashku me Gjenevën dhe Bazel-Shtetin. Barra tatimore do të mbetet veçanërisht e lartë për qytetarët me të ardhura dhe pasuri mbi 100 mijë franga zvicerane.
Ulja e taksave pritet t’i kushtojë kantonit rreth 262 milionë franga. Si pasojë e rezultatit të referendumit, autoritetet do të heqin dorë nga reforma e planifikuar e mburojës fiskale, duke shmangur kështu humbje shtesë prej 20 milionë frangash në vit për kantonin dhe rreth 10 milionë frangash për komunat.
Ndërkohë, ulja e taksave për kategori të caktuara të tatimpaguesve po bëhet prirje edhe në kantone të tjera të Zvicrës frankofone. Në Gjenevë, nga viti 2025 është në fuqi një ulje mesatare prej 8%, ndërsa në Bernë dhe Neuchâtel janë planifikuar reforma të tjera tatimore.
Çështja e tatimeve pritet të rikthehet në diskutim në autoritetet e Vaudit gjatë sesionit legjislativ të verës së vitit 2027, në një kohë kur kantoni përballet me sfida të konsiderueshme financiare.
The post Vaud ul taksat me 12%, por mbetet ndër kantonet më të shtrenjta në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



