BQK dhe Thesari i SHBA-së nisin projekt të ri për luftimin e pastrimit të parave

BQK dhe Thesari i SHBA-së nisin projekt të ri për luftimin e pastrimit të parave
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur një Mision të Asistencës Teknike në kuadër të projektit të ri të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, të udhëhequr nga ekspertët Joseph W. Burke dhe Norman Smith.
Misioni synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës mbikëqyrëse të BQK-së në fushën e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit (AML/CFT). Projekti mbështetet në bashkëpunimin e vazhdueshëm me Thesarin e SHBA-së dhe takimet e nivelit të lartë të mbajtura në Washington DC gjatë Takimeve Pranverore në prill 2026, si dhe kërkesën e BQK-së të dorëzuar në dhjetor 2024.
Gjatë takimit, Ahmet Ismaili paraqiti mandatet, detyrat dhe përgjegjësitë e BQK-së, duke theksuar rolin e saj në ruajtjen e integritetit të sistemit financiar, forcimin e mbikëqyrjes AML/CFT dhe luftimin e falsifikimit të monedhës. Ai përmendi reformat kryesore të ndërmarra për të rritur integritetin financiar, qëndrueshmërinë institucionale dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare.
Guvernatori Ahmet Ismaili theksoi progresin në avancimin e kornizës rregullative, duke përfshirë zbatimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, hartimin e rregulloreve për kripto-asete dhe licencimin e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve. Diskutimet u fokusuan gjithashtu në përmirësimin e praktikave të mbikëqyrjes së institucioneve financiare dhe procedurave të përshtatshmërisë dhe integritetit (fit-and-proper).
Një projekt i rëndësishëm u diskutua për të zbatuar në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave, BQK-së, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Projekti synon forcimin e kornizës së integritetit financiar të Kosovës përmes mbështetjes këshilluese nga ekspertë në fushën e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Luftimit të Financimit të Terrorizmit dhe Financimit të Përhapjes (AML/CFT/CPF).
Kjo nismë është e dizajruar për të rritur koordinimin ndërinstitucional, për të forcuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe për të përmirësuar efektivitetin e përgjithshëm të kornizës së Kosovës për parandalimin dhe adresimin e rreziqeve të krimit financiar.
Në këtë kontekst, Ahmet Ismaili nënshkroi Termat e Referencës për projektin, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e kornizës kombëtare AML/CFT/CPF, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe kontributin në mbrojtjen e sistemit financiar të Kosovës.
Ahmet Ismaili shprehu mirënjohje ndaj Departamentit të Thesarit të SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme, asistencën teknike dhe bashkëpunimin institucional. Ai vlerësoi rolin e Thesarit të SHBA-së në forcimin e funksioneve të BQK-së, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e ruajtjes së integritetit financiar në Republikën e Kosovës.
Me pak fjalë
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Departamenti i Thesarit të SHBA-së kanë nisur një projekt të ri për të forcuar luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Projekti përfshin mbështetje këshilluese nga ekspertë amerikanë dhe synon përmirësimin e kornizës rregullatore dhe mbikëqyrëse të Kosovës. Guvernatori Ahmet Ismaili ka nënshkruar Termat e Referencës për këtë iniciativë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Personat e përmendur
- Ahmet Ismaili - Ahmet Ismaili
- Joseph W. Burke - Joseph W. Burke
- Norman Smith - Norman Smith
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



