Trump dhe prodhuesi tajvanez i mikroprocesorëve njoftojnë planet për ndërtimin e pesë fabrikave në SHBA
UASHINGTON – Gjigandi tajvanez i prodhimit të mikroprocesorëve, njoftoi të hënën planet për të investuar 100 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar pesë fabrika të tjera për prodhimin e mikroprocesorëve gjatë viteve të ardhshme. C.C. Wei, drejtori i kompanisë ‘Taiwan Semiconductor Manufacturing Co.’, e bëri të ditur planin gjatë një takimi në [...]Read More...

UASHINGTON – Gjigandi tajvanez i prodhimit të mikroprocesorëve, njoftoi të hënën planet për të investuar 100 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar pesë fabrika të tjera për prodhimin e mikroprocesorëve gjatë viteve të ardhshme.
C.C. Wei, drejtori i kompanisë ‘Taiwan Semiconductor Manufacturing Co.’, e bëri të ditur planin gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump.
“Duhet të jemi në gjendje t’i prodhojmë këtu mikroprocesorët dhe gjysmëpërçuesit që na nevojiten”, deklaroi zoti Trump. “Për ne, është çështje e sigurisë kombëtare”.
Kompania TMSC, një ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të mikroprocesorëve, është furnizuesi kryesor i firmave më të njohura amerikane të pajisjeve elektronike.
Investimi prej 100 miliardë dollarësh, që do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara më pak të varura nga gjysmëpërçuesit e prodhuar në Azi, është një shtim i investimeve fillestare të kësaj kompanie në SHBA. Kompania TMSC kishte bërë të ditur në prill të vitit të kaluar se do t’i zgjeronte investimet e saj në Shtetet e Bashkuara nga 25 miliardë dollarë në 65 miliardë dollarë dhe do të shtonte ndërtimin e fabrikës së tretë në shtetin e Arizonës deri në vitin 2030.
Pas fitores së zgjedhjeve, kryesisht për shkak të shqetësimeve ekonomike të votuesve, zoti Trump i shtoi përpjekjet për të rritur investimet në industritë vendore për të krijuar vende pune.
Njoftimi i kompanisë TSMC është shembulli i fundit në një varg zhvillimesh të tilla. Muajin e kaluar, kompania ‘Apple’ tha se do të investonte 500 miliardë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme. Miliarderi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Hussain Sajwani dhe banka ‘SoftBank’ gjithashtu premtuan investime në vlerë prej miliarda dollarësh.
Kompania TSMC tha të hënën se i “mirëpret diskutimet mbi vizionin e përbashkët për inovacion dhe zhvillim të industrisë së gjysmëpërçuesve, si dhe për mënyrat për të përforcuar sektorin e teknologjisë krahas klientëve tanë”.
Gjatë administratës së Presidentit Biden, Departamenti amerikan i Tregtisë finalizoi një marrëveshje për subvencione qeveritare me vlerë prej 6.6 miliardë dollarësh në nëntor për degën e TSMC-së në Shtetet e Bashkuara, për prodhimin e gjysmëpërçuesve në Feniks të Arizonës.
Ish Presidenti Biden e nënshkroi ligjin mbi mikroprocesorët dhe shkencën në vitin 2022, në bazë të së cilit do të jepeshin 52.7 miliardë dollarë subvencione për prodhimin dhe hulumtimin e gjysmëpërçuesve amerikanë.
Pozita dominuese e Tajvanit, si prodhues i mikroprocesorëve që përdoren në teknologji, duke filluar nga celularët e deri tek veturat e avionët luftarakë, ka shkaktuar shqetësime për varësinë e tepruar ndaj ishullit, sidomos tani kur Kina po shton trysninë me pretendimet e saj për sovranitet mbi Tajvanin.
Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, por qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në Taipei i kundërshton këto pretendime.
Nën administratën e Presidentit Biden, Departamenti i Tregtisë bindi pesë kompanitë kryesore që prodhojnë gjysmëpërçues të ndërtojnë fabrika në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një programi që synon t’u kundërpërgjigjet rreziqeve që mikroprocesorët e importuar paraqesin për sigurinë kombëtare.
Sekretari për Tregtinë i Presidentit Trump, Howard Lutnick u tha ligjvënësve muajin e kaluar se programi ishte “një investim i shkëlqyeshëm” për të rindërtuar këtë sektor, por refuzoi të premtojë se do t’i jepte donacionet të cilat tashmë janë miratuar nga departamenti, duke thënë se dëshiron “t’i lexojë, t’i analizojë dhe t’i kuptojë ato”.
Një zëdhënësi i kompanisë TSMC tha muajin e kaluar se kompania ka marr 1.5 miliardë dollarë subvencion sipas Ligjit për Mikroprocesorët para se të fillonte mandati i administratës së re, në bazë të parimeve të marrëveshjes.
Vitin e kaluar kompania TSMC ra dakord të përdorë teknologjinë e njohur si ‘2 nanometra’, një ndër më të avancuarat në botë për prodhimin e mikroprocesorëve, në fabrikën e saj të dytë në Arizonë, e cila pritet të fillojë prodhimin në vitin 2028. Kjo kompani gjithashtu u pajtua të përdorë teknologjinë e saj më të avancuar për prodhimin e mikroprocesorëve, të quajtur ‘A16’, në Arizonë.
Kompania TSMC tashmë ka filluar prodhimin e mikroprocesorëve të avancuar 4 nanometra për klientët amerikanë në Arizonë.
Kontrata dhënë TSMC-së përfshin edhe deri në 5 miliardë dollarë kredi qeveritare me interes të ulët./VOA