Trump paralajmëron sërish Hamasin, kërkon lirimin e të gjithë pengjeve
Presidenti Donald Trump përsëriti të enjten paralajmërimin e tij se Hamasi duhet të lirojë menjëherë pengjet e mbetura izraelite. Grupi, i cili konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara, tha se do ta bëjë një gjë të tillë vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, Hamasi [...]Read More...

Presidenti Donald Trump përsëriti të enjten paralajmërimin e tij se Hamasi duhet të lirojë menjëherë pengjet e mbetura izraelite. Grupi, i cili konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara, tha se do ta bëjë një gjë të tillë vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, Hamasi akuzoi SHBA-në dhe Izraelin se po përpiqen të tërhiqen nga negociatat.
Ndërsa palestinezët përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre mes armëpushimit të brishtë në Gazë, Presidenti Donald Trump i dha Hamasit, një grup i përcaktuar terrorist nga SHBA, një ultimatum: të lirojë menjëherë të gjithë pengjet izraelitë ose ta “paguajë shtrenjtë”.
Të enjten, ai u pyet se çfarë donte të thoshte me këtë.
“Do ta shihni. Pata nderin të kaloj shumë kohë dje me disa nga pengjet e liruar dhe nuk mund ta besoj se sa keq janë trajtuar”, u përgjigj Presidenti Trump.
Ai e bëri paralajmërimin të mërkurën pas takimit me ta.
Administrata e zotit Trump dërgoi 4 miliardë dollarë armë në Izrael këtë javë, hera e dytë brenda një muaji që përdori autoritetin e urgjencës për të anashkaluar miratimin e Kongresit për shitjen.
Një zëdhënës i Hamasit tha se rruga më e mirë për lirimin e pengjeve është përmes negociatave për armëpushim. Politika e Uashingtonit ka qenë që të mos negociojë me terroristët. Por zoti Trump konfirmoi se administrata e tij ka filluar bisedimet e drejtpërdrejta me Hamasin për lirimin e pengjeve.
“Ne po ndihmojmë Izraelin në këto diskutime, sepse po flasim për pengjet izraelitë. Dhe ne nuk po bëjmë asgjë në lidhje me Hamasin. Nuk japim para”, tha ai.
Duket se këto bisedime janë të shkëputura nga negociatat mes Hamasit dhe Izraelit për të siguruar fazën e dytë të armëpushimit të Gazës. Faza e parë përfundoi fundjavën e kaluar.
“Shumë njerëz parashikojnë që armëpushimi të dështojë, sepse presin që kryeministri [Benjamin] Netanyahu të fillojë sërish të godasë Gazën. Dhe sapo të ndodhë kjo, nuk do të ketë më lirim pengjesh”, thotë Mirette Mabrouk, bashkëpunëtore e lartë në Institutin e Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, vendet arabe miratuan të martën një kundërpropozim ndaj thirrjes së zotit Trump për të dëbuar palestinezët dhe për ta kthyer Gazën në një destinacion turistik. Sipas planit arab, palestinezët do të qëndrojnë atje dhe Hamasi do të përjashtohet nga qeverisja. Izraeli e ka hedhur poshtë planin.
Plani i vendeve arabe është një “hap i parë mirëbesimi”, i tha Zërit të Amerikës i dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Ai nuk tha nëse palestinezët do të lihen në Gazë.
“Ne po vlerësojmë gjithçka atje. Kështu që është pak herët për të komentuar”.
Izraeli ka bllokuar gjithashtu të gjithë ndihmën në Gazë që nga e diela, duke përsëritur akuzat e kahershme se ato po i shkojnë Hamasit, gjë që agjencitë ndërkombëtare e mohojnë.
Aktualisht në territor ka një mungesë karburanti, gjë që rrezikon më tej shërbimet bazë si pastrimi i plehrave./VOA