Padi ndaj Trumpit për sanksionet kundër Gjykatës së Hagës të Holandës

Disa OJQ për të drejtat e njeriut kanë ngritur padi kundër Donald Trumpit për sanksionet e vendosura nga administrata e tij ndaj përfaqësuesve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë.
Në shkurt të vitit 2025 administrata amerikane nën drejtimin e Donald Trumpit vendosi sanksione ndaj përfaqësuesve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) me seli në Hagë të Holandës. Tani disa grupe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngritën padi kundër presidentit amerikan Donald Trump përveprimet e tij ndaj kësaj gjykate. Në padinë e dorëzuar në një gjykatë në Nju-Jork thuhet se sanksionet e vendosura nga administrata e Trumpit ndaj përfaqësuesve të gjykatës pengojnë viktimat e krimeve të luftës që të marrin drejtësi.
Ndër sanksionet e qeverisë amerikane kundër përfaqësuesve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) bënin pjesë ndalimi i hyrjes në SHBA ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të GJPN-së, si dhe masa për ngrirjen e pasurive të tyre në Shtetet e Bashkuara.
Arsyeja kryesore ishin hetimet dhe urdhër-arrestet e gjykatës kundër zyrtarëve të lartë izraelitë, përfshirë edhe kryeministrin Benjamin Netanjahu, në lidhje me luftën në Rripin e Gazës.
Katër organizatat e të drejtave të njeriut, ndër to edhe Human Rights Watch, kërkojnë në padinë e tyre shfuqizimin e këtyre sanksioneve, duke argumentuar se ato bien ndesh me ligjet, si p.sh. atë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
SHBA dëshiron të dobësojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare
Në padinë prej më shumë se 100 faqesh thuhet: “Ky është një abuzim i paligjshëm me pushtetin, që përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës, ndaj pavarësisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, ndaj parimeve themelore të rendit juridik ndërkombëtar dhe ndaj parimit të qasjes së barabartë në drejtësi.”
Sipas padisë sanksionet e vendosura vështirësojnë ndjekjen penale të rasteve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Gjykata Penale Ndërkombëtare, e themeluar në vitin 1998, merret që nga viti 2002 me ndjekjen e krimeve si gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Më shumë se 120 shtete e kanë njohur bazën juridike të kësaj gjykate përmes traktatit themelues. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk bëjnë pjesë ndër to.
Muajin e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi në një video-mesazh se SHBA do të ushtrojnë presion mbi vende të tjera që të tërhiqen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
The post Padi ndaj Trumpit për sanksionet kundër Gjykatës së Hagës të Holandës appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



