Turqia sjell në Prishtinë rrëfimin për Luftën e Çanakales me muzeun mobil

Prishtina është stacioni i parë në Ballkan në të cilin është ndalur muzeu mobil, me të cilin Turqia shpalos rrëfimin e saj për Luftën e Çanakales. Ka zbarkuar midis kryeqytetit, të mërkurën, 45 ditë para se të shënohet 110-vjetori i asaj që njihet edhe si Beteja e Gallipolit, midis forcave angleze dhe franceze dhe në […] The post Turqia sjell në Prishtinë rrëfimin për Luftën e Çanakales me muzeun mobil appeared first on Albinfo.

Turqia sjell në Prishtinë rrëfimin për Luftën e Çanakales me muzeun mobil

Prishtina është stacioni i parë në Ballkan në të cilin është ndalur muzeu mobil, me të cilin Turqia shpalos rrëfimin e saj për Luftën e Çanakales. Ka zbarkuar midis kryeqytetit, të mërkurën, 45 ditë para se të shënohet 110-vjetori i asaj që njihet edhe si Beteja e Gallipolit, midis forcave angleze dhe franceze dhe në anën tjetër ushtrisë osmane ndihmuar nga Austro-Hungaria dhe Gjermania. 

Llogaritet se aty humbën jetën rreth 280 mijë veta, në mesin e të cilëve 25 mijë shqiptarë. Ishte njëra prej betejave më të mëdha në Luftën e Parë Botërore dhe zgjati prej 25 prillit të vitit 1915 deri më 9 janar 1916. Fituan forcat osmane dhe lavdinë e saj e feston Turqia. Në këtë frymë e sjell edhe muzeu mobil. Historiografia shqiptare ka qasje të ndryshme për të. Pikëpyetje e madhe ngelet prania e shqiptarëve në këtë luftë, që u zhvillua pasi Shqipëria shpalli Pavarësinë më 1912. Një pjesë e madhe e ushtarëve shqiptarë mendohet të kenë qenë prej atyre që ishin zhvendosur në Turqi për të jetuar.

Muzeu mobil të mërkurën është vendosur në Prishtinë, përballë hotelit “Grand” nëpërmjet një leje të lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e kryeqytetit. Brenda muzeut, që do të qëndrojë edhe sot në kryeqytet, jepet një historik i shkurtër i asaj që ka ndodhur në një prej betejave më të gjata e më të përgjakshme të Luftës së Parë Botërore. Muzeu që do të ndalet edhe në Mamushë, Dragash e Prizren ofron eksponate të asaj kohe, një paraqitje në poliester të themeluesit të Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk e të dhëna të tjera. Atatürk, për të cilin thuhet se ka prejardhje shqiptare, në tetor të vitit 1923 do të themelonte atë që sot është Turqia. Ai i kishte prirë Divizionit të 19-të në betejën e Çanakalesë, formacion ky për të cilin thuhet se përbëhej kryesisht nga shqiptarët. Muzeu mobil që deri në maj do të shëtisë në tetë shtete të rajonit, ofron të dhëna vetëm në gjuhë turke, përderisa dokumentarët që shfaqjen në të kanë edhe titra në anglisht. 

“Me moton ‘Kudo që valëvitet flamuri i kuq, atje është Çanakale’, muzeu ynë mobil, i cili ka udhëtuar në të gjithë cepat e Turqisë, tani po shkon drejt zemrës sonë, Ballkanit”, shkruhet në ueb-faqen e Qendrës Historike të Gallipolit.  “Ne do të bashkohemi me bashkatdhetarët tanë në Ballkan për të ndarë epikën heroike të të parëve tanë, kujtimet e tyre të paharrueshme dhe krenarinë në zemrat tona. Si Muze i lëvizshëm i Betejave të Çanakalesë, ne jemi të emocionuar të ndajmë me ju entuziazmin e bartjes së gjurmëve të historisë sonë dhe ‘Shpirtit të Çanakalesë’ në të ardhmen. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim unik dhe le të ringjallim së bashku kujtimet heroike të historisë sonë”, shkruhet në këtë ueb-faqe. 

Historiani Enver Rexha të mërkurën ka hyrë në Muze dhe ka qëndruar për pak minuta. Pasi ka dalë, ka thënë se bëhet fjalë për një prezantim modest të luftës. 

“Është një prezantim i shkurtër i asaj lufte të madhe. Nuk e di përse shqiptarët kanë shkuar për të luftuar në atë kohë kur Pavarësia e Shqipërisë veç ishte e shpallur. Mund të them se ka mundësi të jenë dy arsye të shkuarjes së shqiptarëve: çështja ideologjike ose kanë qenë edhe mercenar”, ka thënë ai. 

Muzeu mobil në Prishtinë është hapur nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, dhe konsulli i përgjithshëm i Prizrenit, Celal Doğan. 

Ambasadori Angılı citohet të ketë thënë se janë të shumtë ata nga Turqia,  Ballkani dhe Gadishulli Arabik, që luftuan dhe u bënë dëshmorë në atë që njihet edhe si Beteja e Gallipolit.

“Prandaj më duket shumë e rëndësishme dhe e vlefshme që ky muze i lëvizshëm i Luftërave të Çanakalesë erdhi në Kosovë për t’u takuar me kosovarët fillimisht në Prishtinë, pastaj në Mamushë, Dragash dhe Prizren”, ka thënë ai. 

Koordinatori i projektit të këtij muzeu, Engin Karataş, ka bërë të ditur se do të jenë në Ballkan për dy muaj dhe do të përpiqen që shpirti i Çanakalesë të ndihet në qytete të ndryshme. 

Pas Kosovës, muzeu mobil do të udhëtojë në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi Maqedoni të Veriut për ta përmbyllur këtë rrugëtim në Bullgari në muajin maj.

 

The post Turqia sjell në Prishtinë rrëfimin për Luftën e Çanakales me muzeun mobil appeared first on Albinfo.