Ushtarakët amerikanë alarmojnë për dobësitë e mbrojtjes ajrore në NATO
Dy ish-komandantë të lartë të ushtrisë amerikane thanë se mburoja ajrore e Evropës nuk është e përgatitur që të përballet me shkallën e kërcënimit nga Rusia, ndërkaq kreu i task-forcës për mbrojtje ajrore dhe raketore në Marinën amerikane i tha Radios Evropa e Lirë se pengimi i sulmeve “është gjithmonë si raporti mes maces me [...]Read More...

Dy ish-komandantë të lartë të ushtrisë amerikane thanë se mburoja ajrore e Evropës nuk është e përgatitur që të përballet me shkallën e kërcënimit nga Rusia, ndërkaq kreu i task-forcës për mbrojtje ajrore dhe raketore në Marinën amerikane i tha Radios Evropa e Lirë se pengimi i sulmeve “është gjithmonë si raporti mes maces me miun”.
Këto deklarata vijnë në kohën kur vendet evropiane po nisin një program masiv riarmatimi, i miratuar muajin e kaluar, ku mbrojtja ajrore është në krye të listës së prioriteteve.
“Shikoni çfarë ka ndodhur në qytetet e mëdha të Ukrainës. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në disa nga qytetet e mëdha të Evropës”, tha për Radion Evropa e Lirë Philip Breedlove, ish-komandanti suprem i NATO-s në Evropë.
“Nëse jeni ulur diku dhe mendoni se jeni nën ndonjë mburojë magjike si në programet televizive, nuk është vend i mirë për të qenë”, shtoi ai.
Bombardimet e përditshme të Rusisë ndaj Ukrainës kanë ilustruar më së miri rëndësinë e mbrojtjes ajrore.
Sipas një analize të realizuar në shkurt nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, Rusia ka lëshuar mesatarisht 24.3 raketa dhe dronë në ditë drejt Ukrainës që nga fillimi i nisjes së pushtimit të këtij shteti fqinj më 2022 – mbi 25. 000 në total.
Pasojat kanë qenë ndërprerje të energjisë elektrike, shkatërrim i infrastrukturës dhe viktima të shumta civile. Rusia ka përdorur një sërë raketash raketash, nga dronë, bombat rrëshqitëse të epokës sovjetike, por që i ka modifikuar, e deri te raketat lundruese. Po ashtu, ka edhe lloje të ndryshme të mbrojtjes ajrore.