Vijojnë sulmet mes Iranit dhe Izraeli pas refuzimit të Teheranit për bisedime bërthamore

Në orët e para të së shtunës, Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të reja ushtarake, vetëm një ditë pasi Teherani deklaroi se nuk do të angazhohej në bisedime për programin e tij bërthamor nën kërcënim. Ky përshkallëzim vjen ndërsa përpjekjet evropiane për të mbajtur gjallë dialogun paqësor vazhdojnë. Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se [...]Read More...

Vijojnë sulmet mes Iranit dhe Izraeli pas refuzimit të Teheranit për bisedime bërthamore

Në orët e para të së shtunës, Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të reja ushtarake, vetëm një ditë pasi Teherani deklaroi se nuk do të angazhohej në bisedime për programin e tij bërthamor nën kërcënim. Ky përshkallëzim vjen ndërsa përpjekjet evropiane për të mbajtur gjallë dialogun paqësor vazhdojnë.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se Izraeli kishte goditur objektin bërthamor në Isfahan – një nga më të mëdhenjtë në vend – por pa shkaktuar rrjedhje të materialeve të rrezikshme. Gjithashtu, media iraniane raportoi për një tjetër sulm izraelit në qytetin e Qom, ku sipas informacioneve paraprake, ka humbur jetën një 16-vjeçar dhe janë plagosur dy persona të tjerë.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se ka ndërmarrë një valë sulmesh ndaj objekteve iraniane që shërbejnë për magazinim dhe nisje të raketave. Rreth orës 02:30 të mëngjesit në Izrael, u dha alarmi për një breshëri raketash nga Irani, çka shkaktoi ndezjen e sirenave të sulmeve ajrore në pjesë të ndryshme të Izraelit qendror, përfshirë Tel Avivin, si dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Pamje nga Tel Avivi treguan ndërhyrjen e sistemit të mbrojtjes ajrore izraelite, me shpërthime që jehonin nëpër zonën metropolitane. Sirena u dëgjuan edhe në jug të Izraelit, sipas shërbimit kombëtar të emergjencës, Magen David Adom.

Zyrtarë ushtarakë izraelitë thanë se Irani ka lëshuar pesë raketa balistike, por nuk ka pasur shenja të goditjes direkte në tokën izraelite. Ndërkohë, janë publikuar imazhe të një zjarri në çatinë e një ndërtese banimi në Tel Aviv, që sipas mediave lokale, është shkaktuar nga mbetjet e një rakete të interceptuar.

Për momentin, nuk raportohet për viktima në Izrael. Ndërkohë, tensionet ndërkombëtare mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për përmbajtje dhe rikthim në tryezën e bisedimeve. / abcnews.al