12-vjeçarja largohet nga shtëpia para agimit – babait i vjen një mesazh në WhatsApp: “Jam në Ferizaj”

Një 12-vjeçare nga Podujeva po kërkohet nga Policia, pasi është larguar nga shtëpia në orët e hershme të mëngjesit të 21 gushtit dhe familja nuk di se ku ndodhet.
Rasti bëhet edhe më shqetësues për shkak të moshës së saj, ndërsa e vetmja gjurmë që familja ka marrë pas largimit është një mesazh në WhatsApp, të cilin vajza ia ka dërguar babait.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një vajzë, rreth 12-vjeçare identitetin e së cilës nuk po e publikojmë për shkak të moshës së mitur.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 05:20 të mëngjesit, babai ka pranuar një mesazh nga vajza e tij.
Në të, ajo i ka shkruar se nuk do të kthehej në shtëpi për disa ditë, se ndodhej në Ferizaj te një shoqe dhe se kishte nevojë të qëndronte pak vetëm.
“Bab, nuk kthehna në shtëpi për disa ditë, jam në Ferizaj te Anisa…”, është pjesa e mesazhit që, sipas informacioneve të Sinjalit, 12-vjeçarja ia ka dërguar të atit.
Vajza i kishte kërkuar gjithashtu që të mos e njoftonte Policinë.
Por për babanë, informacioni se ajo mund të ndodhej te një shoqe në Ferizaj nuk ka mjaftuar për ta gjetur.
Ai ka deklaruar se nuk e njeh vajzën e përmendur në mesazh dhe nuk e di adresën apo vendin ku mund të ndodhet e bija.
Rreth orës 06:15, më pak se një orë pas pranimit të mesazhit, babai është paraqitur në Polici dhe ka raportuar zhdukjen.
Për rastin është njoftuar Prokurorja për të Mitur, e cila ka udhëzuar që të iniciohet rasti “Person i zhdukur”.
Policia tashmë po ndërmerr veprime për lokalizimin dhe gjetjen e 12-vjeçares.
Sinjali nuk po publikon pjesën tjetër të mesazhit privat të fëmijës, pasi përmbajtja e tij nuk është e nevojshme për kërkimin e saj dhe publikimi do të ekspozonte pa nevojë një të mitur.
Familja, ndërkohë, pret që gjurma e vetme e lënë në orët e para të mëngjesit – mesazhi se ndodhej në Ferizaj – të çojë sa më shpejt te gjetja e saj.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



