Vonesa e formimit të Qeverisë së re dëmton Kosovën në aspektin politik dhe ekonomik
Lëvizja “Vetëvendosje” ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të dielës së kaluar, me 40.86 për qind të votave dhe me përfshirjen edhe të votave të diasporës që pritet të numërohen dhe ato me postë dhe me kusht, pritet t’i siguroj 46-48 ulëse në legjislaturën e re të Kosovës. Pas “Vetëvendosjes”, PDK-ja i ka siguruar

Lëvizja “Vetëvendosje” ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të dielës së kaluar, me 40.86 për qind të votave dhe me përfshirjen edhe të votave të diasporës që pritet të numërohen dhe ato me postë dhe me kusht, pritet t’i siguroj 46-48 ulëse në legjislaturën e re të Kosovës.
Pas “Vetëvendosjes”, PDK-ja i ka siguruar 25 ulëse, 20 LDK-ja, 9 AAK-ja, etj.
Bazuar në këto statistika asnjë subjekt politik i vetëm nuk do të mund ta formojë Qeverinë e re, duke i detyruar të hyjnë në marrëveshje koalicioni, të cilat marrëveshjet me subjektet politike shqiptare do të rezultojnë shumë të vështirë për partinë e Albin Kurti për shkak të gjuhës së ashpër të tij gjatë fushatës.
E vonesa në krijimin e institucioneve të reja qendrore do të ketë pasoja për Kosovën si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Ish-ministri i Financave: Albin Kurti e ka penguar zhvillimin ekonomik, kryeministrat tjerë do ta zhvillojnë
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me ndikimin në ekonomi nga vonesa e formimit të institucioneveqendrore pas mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.
Shatri thotë se çdo vonesë e tillë do të ndikonte negativisht në ekonominë kosovare.
“Çdo vonesë e formimit të institucioneve ndikon negativisht. Është periudha e operatorëve ekonomik të fillojë, projektet kapitale etj”, thotë Shatri.
Shatri thotë se me Qeverinë Kurti, ekonomia s’ka progres.
Sipas tij, përveç pushtetit të deritanishëm të gjitha të tjerat kishin pasur sukses në zhvillimin ekonomik.
“Nëse Kurti do të bëhet prapë kryeministër, me këtë Qeveri që e ka pas, ma mirë ekonomia e Kosovës mos me pas qeveri të tillë hiç. Me qeveritë e tjera kish pas efekte pozitive në ekonomi”, deklaroi ai.
Ekonomisti Bellaqa: Vonesa e formimit të institucioneve dëmton besimin e investitorëve
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa vlerëson se vonesa e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të shkaktojnë pasoja negative në ekonominë e vendit.
“Vonesa e formimit të institucioneve dhe qeverisë shkakton pasoja negative për ekonominë se krijohet një jo stabilitet dhe në imazhin ekonomik të vendit nga aspekti i jashtëm”, theksoi Bellaqa.
Bellaqa vlerëson se investitorët e jashtëm do të krijojnë opinion negativ për Kosovën pas vonesës së formimit të Qeverisë.
“Krijohet një ambient i papërshtatshëm i të bërit biznes dhe investitorët e jashtëm për shkak të vonesës krijojnë opinion negativ, se s’ka stabilitet politik. Kjo krijon një pasiguri në mos sundimin e ligjit”, shprehet ai për “Front Online”.
Matoshi: Kosova duhet ta votojë marrëveshjen me BE-në për ta parandaluar humbjen e qindra miliona eurove
Analisti Halil Matoshi për mos ndikimin negativ në politik e ekonomi të Kosovës pas vonesës së formimit të Qeverisë e institucioneve ka shprehur një fakt.
Sipas tij, Kosova duhet në Kuvend të votojë një marrëveshje ndërkombëtare me BE për t’i parandaluar humbjen e qindra miliona eurove.
“Kosova duhet ta votojë në Kuvend marrëveshjen ndërkombëtarë me BE-në për planin e rritjes ku mund të humbin qindra miliona”, theksoi Matoshi për “Front Online”.
Tahiri-Beqa: Vonesa e formimit të Qeverisë do të ndikojë negativisht në proceset politike-ekonomike
Arta Tahiri-Beqa, politologe, për “Front Online” ka deklaruar se vonesa e formimit të Qeverisë pas mbajtjes së zgjedhjeve, do të ndikonte negativisht në proceset politike-ekonomike.
“Në një situatë që nuk kuptohet se kush do të formojë Qeverinë, do të ndikojë negativisht. Do neglizhohen fondet dhe proceset, të cilat janë në të gjitha Ministritë që udhëhiqen momentalisht”, deklaroi ajo.