Xhelal Sveçla dënohet me 1 vit burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvend

Xhelal Sveçla dënohet me 1 vit burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018.

Aktgjykimi u shpall të martën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Sadikaj tha se i akuzuari Sveçla dënohet me 1 vit burgim me kusht, në periudhë verifikuese për 1 vit.

Paraprakisht, në seancën për matjen dhe caktimin e dënimit, prokurori Valdrin Krasniqi propozoi dënim me dy vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Sveçlës, avokati Laur Prenaj tha se meqenëse nuk kemi pranim fajësie, nuk deklarohen.

Më pas Gjykata shpalli dënimin. I akuzuari Sveçla mungoi në shpallje.

Gjykata Themelore në Prishtinë në seancën e 2 shtatorit 2026, e ka shpallur fjator ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018. Saktësisht, Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Me rastin e shpalljes fajtor të të akuzuarit për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, Gjykata rikualifikoi veprën nga paragrafi 2 në paragrafin 1.

Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, Gjykata mori aktgjykim refuzues.

Në seancën e 28 gushtit 2026, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.