Xhemaili: Nuk mund ta imagjinoj ekipin kombëtar pa Granit Xhakën

Xhemaili: Nuk mund ta imagjinoj ekipin kombëtar pa Granit Xhakën

Kombëtarja e Zvicrës e ka nisur Ligën e Kombeve me fitore 3-0 ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa mungesat e Granit Xhakës dhe Breel Embolos kanë qenë ndër temat kryesore pas ndeshjes. Për të ardhmen e Xhakës me përfaqësuesen zvicerane ka folur edhe ish-futbollisti dhe eksperti i Blick, Blerim Dzemaili, përcjell albinfo.ch.

Duke komentuar situatën rreth kapitenit shqiptar, Dzemaili tha se Federata Zvicerane dhe Xhaka pritet të diskutojnë për të ardhmen e tij pas ndeshjeve ndërkombëtare.

“Federata dhe Graniti do të ulen së bashku pas këtyre ndeshjeve ndërkombëtare dhe duhet të marrin një vendim për të ardhmen e tij me ekipin kombëtar. Unë supozoj se Graniti dëshiron të mbetet kapiten. Megjithatë, për momentin nuk mund ta imagjinoj ekipin kombëtar pa Granit Xhakën”, u shpreh Dzemaili.

Ai foli edhe për Ardon Jasharin, i cili shihet si një prej lojtarëve që mund të marrë më shumë përgjegjësi në mesfushën e Zvicrës. Dzemaili vlerësoi paraqitjen e tij ndaj Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se Jashari nuk duhet të tentojë të jetë zëvendësues i drejtpërdrejtë i Xhakës, por të zhvillojë stilin e tij të lojës.

“Ardoni po përpiqet shumë dhe po jep gjithçka. Isha shumë i kënaqur me performancën e tij në pjesën e parë”, tha ai, duke shtuar se shpreson që trajneri Murat Yakin t’i japë më shumë stabilitet dhe minuta në ndeshjet e ardhshme.

Dzemaili komentoi edhe mungesën e Breel Embolos, duke e konsideruar situatën e tij më pak serioze në krahasim me rastin e Xhakës. Sipas tij, vendimi për të mos i përfshirë të dy lojtarët në këtë grumbullim mund të ketë ardhur edhe si përpjekje e federatës për të shmangur polemika të mëtejshme.

Në analizën e tij, ish-mesfushori i Zvicrës vlerësoi edhe lojtarët e rinj, përfshirë Zachary Athekamen dhe Sascha Britschgin, të cilët po marrin më shumë hapësirë në përfaqësuese. Ai theksoi se përballja me kundërshtarë më të dobët në Ligën e Kombeve mund t’u shërbejë lojtarëve të rinj për të fituar përvojë.

Dzemaili përmendi gjithashtu Johan Manzambin dhe Winsley Botelin si futbollistë me potencial për të marrë role udhëheqëse në të ardhmen e ekipit kombëtar zviceran. /Albinfo.ch

The post Xhemaili: Nuk mund ta imagjinoj ekipin kombëtar pa Granit Xhakën appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.