Zgjedhjet sërish zgjidhje/ Partitë në telashe me numrat në Kuvend
Ka kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, përderisa Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ende nuk i ka certifikuar rezultatet zgjedhore. Nga rezultatet preliminare, por jo të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur të siguroj 48 deputetë, PDK ka fituar 24 deputetë, LDK shkon në Kuvend me 20 deputetë, AAK-NISMA me

Ka kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, përderisa Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ende nuk i ka certifikuar rezultatet zgjedhore.
Nga rezultatet preliminare, por jo të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje, ka arritur të siguroj 48 deputetë, PDK ka fituar 24 deputetë, LDK shkon në Kuvend me 20 deputetë, AAK-NISMA me 8 deputetë, 9 deputetë ka Lista Serbe si dhe pakicat jo-serbe me 10 deputetë dhe partia e Nenad Rashiq me 1 deputet.
Bazuar në rezultatet e sipërpërmendura asnjë subjekt politik nuk do të jetë në gjendje që ta formojë e vetme Qeverinë, prandaj janë të detyruar të bëjnë koalicione paszgjedhore. E këto duket se do të jenë shumë të vështira.
Tri partitë parlamentare (PDK, LDK, AAK) janë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me partinë e kryeministrit Albin Kurti, ndërsa disa deputetë nga kounitetet joserbe, të cilat kanë fituar ulëse në Kuvend kanë deklaruar se bëjnë koalicion veç me Kurtin kryeministër.
Në një situatë të tillë kur është e vështirë të sigurohen 61 vota në Kuvend, opsion mbeten edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Sali Zyba i VV-së: Qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre në këto zgjedhje, çështjet tjera janë procedurale
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, për FrontOnline ka deklaruar se procesi zgjedhor është brenda afateve zgjedhore kushtetuese dhe se vullneti i shumicës së qytetarëve është shprehur përmes votës, duke shtuar se çështjet tjera janë thjesht procedurale.
‘’Brenda afateve zgjedhore kushtetuese dhe ky është një proces, vullneti I shumicës së qytetarëve e ka dhënë dëshminë, çështjet tjera janë procedurale’’, tha Zyba.
Demaku i PDK-së: Qeveria stabile mund të krijojë opozita
Fadil Demaku, deputet i PDK-së, ka hedhur poshtë mendimin se mund të shkohet në zgjedhje parlamentare të reja, pasi që, sipas tij, mund të krijohet një qeveri nga partitë opozitare, e cila do të ishte stabile dhe do të shërbente në interes të qytetarëve.
‘’ Unë mendoj se mund të krijohet një qeveri nga partitë opozitare, kështu mund të krijohet një qeveri stabile e cila do të ishte në interes të qytetarëve’’, deklaroi deputeti I PDK-së.
Ekrem Hyseni: Qytetari ka vendosur që LDK-ja të qëndrojë në opozitë
Ekrem Hyseni nga LDK ka deklaruar se partia e tij e ka pranuar statusin e opozitës pas zgjedhjeve parlamentare dhe se qytetari i ka dhënë këtë rol.
‘’ Ne si LDK përcaktimi ynë është i tillë që statusi në këto zgjedhje parlamentare që na ka dhënë qytetari jemi në opozitë’’, tha Hyseni për FrontOnline
Hyseni deklaroi se i takon të parit (LVV) të formojë qeverinë dhe se deri atëherë LDK do ta mbaj pozicionin e caktuar nga qytetari
‘’Në një farë mënyre i takon të parit të formoje Qeverinë, deri atëherë ne do ta mbajmë pozicionin tonë që na e ka dhënë qytetari’’, tha Hyseni.
Kadrijaj: Kurti e ka të pamundur ta formojë qeverinë vetëm me pakicat
Time Kadrijaj nga AAK në një prononcim për FrontOnline ka thënë se të priten rezultatet e certifikimit të rezultateve. Ai shtoi se pas kësaj do të shihet se kush është në pozicion për të formuar qeverinë dhe si do ta bëjnë këtë.
‘’ Nga ajo që po shohim duhet të presim rezultatet e certifikimit e rezultateve ,pastaj do të shohim ata që janë në pozicion të formojnë qeverinë dhe se si do ta formojnë atë ‘’, tha deputetja e AAK-së.
Sipas saj , opozita nuk dëshiron të bëjë koalicion me VV-në, përveç ndoshta pakicat jo-serbe. Kadrijaj theksoi se, bazuar në rezultatet zgjedhore, është e pamundur që të formohet një qeveri vetëm me pakicat jo-serbe.
‘’Nga ajo çka kam parë opozita nuk dëshiron të bëj koalicion me VV-në përveç ndoshta pakicat jo-serbe të shohim tani se cila është mundësia sepse në bazë të rezultateve zgjedhore është e pamundur ta formojë qeverinë vetëm me pakicat jo serbe z.Kurti ‘’ , deklaroi Kadrijaj.
Matoshi: Faktori amerikan e mban çelësin e këtyre zgjedhjeve
Halil Matoshi, analist, ka deklaruar ekziston edhe mundësia për formimin e qeverisë mirëpo edhe mundësia për zgjedhje të reja , por pa një qëndrim të qartë nga Kurti, i cili po’’ pret’’ certifikimin e rezultateve, është e pamundur të përcaktohet një zgjidhje konkrete.
‘’ Të dyja mundësitë janë të hapura. Por pa folë Albin Kurti (po e pret certifikimin e zgjedhjeve?) nuk di askush të përcaktojë zgjidhjen opsionale’’, tha Matoshi.
Ai shtoi se faktori amerikan ende nuk ka bërë një deklaratë dhe se ata janë ata që mbajnë çelësin
‘’ Faktori amerikan ende nuk ka folë po ashtu. Ata e mbajnë çelësin!’’, deklaroi Matoshi.