Zvicra ndalon aktivitetin e tetë kompanive të kujdesit në shtëpi

Zvicra ndalon aktivitetin e tetë kompanive të kujdesit në shtëpi

Autoritetet zvicerane kanë ndaluar aktivitetin e tetë organizatave të kujdesit në shtëpi në pjesën frankofone të vendit, për shkak të parregullsive që përfshijnë rrezikimin e pacientëve, mungesën e personelit të kualifikuar dhe faturimin e paligjshëm.

Sipas një hulumtimi të transmetuesit publik RTS dhe gazetës Le Nouvelliste, pesë nga këto organizata operonin në kantonin e Valaisit, dy në Neuchâtel dhe një në Vaud.

Gjatë kontrolleve në Valais, inspektoret konstatuan se dy pacientë ishin vënë konkretisht në rrezik, ndërsa për gjashtë të tjerë ishte evidentuar mundësia e rrezikimit të shëndetit. Ndër parregullsitë e identifikuara ishin gabimet në administrimin e kujdesit dhe barnave, mungesa e infermierëve, dosjet e paplota të pacientëve dhe pagat e papaguara.

Po ashtu, një kompani dyshohet se kishte faturuar sigurimin e detyrueshëm shëndetësor për shërbime që nuk mbulohen prej tij, përfshirë pastrimin dhe blerjet.

Sindikata e Shërbimeve Publike në Valais ka shprehur shqetësim për kushtet e punës dhe mungesën e llogaritjes së kohës së udhëtimit si kohë pune. Ndërkohë, përfaqësuesit e sektorit privat theksojnë se rastet problematike përbëjnë një pakicë të vogël dhe se kompanitë që respektojnë ligjin nuk duhet të penalizohen nga përgjithësimet.

Autoritetet zvicerane po shtojnë kontrollet për të garantuar cilësinë e shërbimeve dhe sigurinë e personave të moshuar që marrin kujdes në shtëpi.

The post Zvicra ndalon aktivitetin e tetë kompanive të kujdesit në shtëpi appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.