Zvicra propozon taksë për emigrantët në kuadër të marrëveshjeve me BE-në

Zvicra propozon taksë për emigrantët në kuadër të marrëveshjeve me BE-në

Këshilli i Shteteve në Zvicër ka mbështetur një paketë masash të reja lidhur me emigracionin, në kuadër të marrëveshjeve të reja me Bashkimin Evropian.

Mes masave të miratuara është edhe një taksë për emigracionin, e cila sipas propozimit do të paguhet nga punëdhënësi. Për shtetasit e BE-së që punojnë, janë të vetëpunësuar ose qëndrojnë në Zvicër pa aktivitet fitimprurës, taksa do të jetë të paktën 4 mijë franga zvicerane. Për anëtarët e rritur të familjeve që vendosen në Zvicër përmes bashkimit familjar, taksa do të jetë të paktën 2 mijë franga.

Të ardhurat nga kjo taksë parashikohet t’u rishpërndahen banorëve të Zvicrës. Masa do të mund të zbatohet edhe ndaj shtetasve të vendeve të treta në rast se aktivizohet klauzola mbrojtëse për emigracionin.

Propozimi ka shkaktuar debat në Parlament. Përfaqësues të së majtës kanë vënë në pikëpyetje efektin e saj dhe kanë paralajmëruar për rritje të barrës administrative, ndërsa disa politikanë të qendrës së djathtë e kanë kundërshtuar si masë që mund të shtojë burokracinë.

Këshilli i Shteteve miratoi gjithashtu masa të tjera në kuadër të rregullave për të huajt. Ndër to është kërkesa për paraqitjen e një dëshmie të gjendjes gjyqësore nga vendi i origjinës ose i rezidencës, si për shtetasit e BE-së, ashtu edhe për ata të vendeve të treta.

Për shtetasit e vendeve të treta do të mund të kryhen edhe kontrolle lidhur me sigurinë, rendin dhe shëndetin publik, ndërsa në raste të caktuara e drejta e qëndrimit mund të refuzohet ose kufizohet.

Këshilli i Shteteve vendosi gjithashtu që qeveria zvicerane të shqyrtojë çdo vit nëse ekzistojnë kushtet për aktivizimin e klauzolës mbrojtëse lidhur me emigracionin.

Marrëveshjet e reja Zvicër-BE synojnë rregullimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë edhe rregullat për lëvizjen e lirë të personave.

The post Zvicra propozon taksë për emigrantët në kuadër të marrëveshjeve me BE-në appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.