Helmimi në Vlorë, dyshohet për ndotje fekale të ujit, 10 fëmijë të shtruar në spital, shtohen rastet dhe tek të rriturit
Situata në Vlorë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese pas dyshimeve për ndotje të ujit të pijshëm dhe shtimit të pacientëve me simptoma diarreje.
Sipas informacionit të konfirmuar nga Spitali Rajonal i Vlorës, 4 të rritur janë paraqitur me simptoma shëndetësore, kanë marrë mjekim dhe janë larguar nga spitali. Ndërkohë, 10 fëmijë vijojnë të jenë të shtruar, 7 prej tyre nga kopshti numër 10 dhe 3 nga një kopsht tjetër në një zonë tjetër të qytetit.
Shqetësimi është shtuar pas analizave të kryera në kopshtin numër 10, ku është evidentuar përmbajtje fekale në mostrat e ujit. Në analizat e mëparshme të depozitës së këtij institucioni ishte konstatuar gjithashtu prani amoniaku dhe mungesë klori.
Sipas informacioneve të siguruara, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Vlorë po monitoron rrjetin e ujësjellësit dhe kryen analiza çdo dy orë.
Prania e bakterit E. coli në ujin e pijshëm është tregues i ndotjes fekale dhe përbën rrezik për shëndetin publik.
Mbetet për t’u sqaruar nëse rastet e pacientëve me probleme shëndetësore kanë lidhje me problematikat e konstatuara në ujë, ndërsa priten sqarime dhe masa urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Foto të analizave të kryera:
The post Helmimi në Vlorë, dyshohet për ndotje fekale të ujit, 10 fëmijë të shtruar në spital, shtohen rastet dhe tek të rriturit appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.