Vdes veterani i UÇK-së, Ali Mejzinolli
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Shyqeri Mejzinolli, duke shprehur ngushëllime për familjen, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e njohën.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Ahmeti e ka kujtuar Mejzinollin si veprimtar të çështjes kombëtare, pjesëmarrës dhe organizator të protestave kundër regjimit serb, si dhe një nga kontribuuesit e parë të UÇK-së në Lipjan.
Ai ka theksuar se gjatë luftës, Mejzinolli e kishte vënë shtëpinë e tij në Shalë në shërbim të luftës çlirimtare, ku ishte vendosur spitali për trajtimin e ushtarëve të plagosur dhe shtabi ushtarak.
Po ashtu, në atë shtëpi ishin mbajtur takime me delegacione ndërkombëtare, ndërsa prej aty ishte nisur edhe delegacioni i UÇK-së për në Rambuje.
Ahmeti ka vlerësuar se kontributi dhe angazhimi i Mejzinollit për lirinë e Kosovës do të mbeten pjesë e kujtesës kolektive, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës së tij!”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.