Shkodër, sekuestrohet drogë, armë dhe municione. Arrestohen 2 vëllezër, 1 në kërkim (EMRAT)

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Polinomi 2”, në vijim të aksionit “Polinomi”, të zhvilluar disa ditë më parë, duke goditur një tjetër aktivitet të dyshuar kriminal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Në kuadër të operacionit, pas katër muajsh hetime me metoda proaktive, janë arrestuar dy vëllezër, Gjovalin Sheja, Kujtim Sheja përkatësisht 49 dhe 57 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim djali 24-vjeçar i këtij të fundit, shtetasi Kristjan Sheja.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre, në fshatrat Abat dhe Grudë e Re, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në total rreth 77 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Konkretisht, në banesën e 49-vjeçarit u gjetën 10 kilogramë kanabis, ndërsa në banesën e 57-vjeçarit u sekuestruan rreth 66.8 kilogramë të tjera, të ndara në thasë.
Përveç lëndës narkotike, në banesën e këtij të fundit u gjetën dhe u sekuestruan edhe një pistoletë me krehër me fishekë, një pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh, një shkop metalik, dy radio marrëse-dhënëse, një peshore elektronike dhe tre pajisje optike, mes tyre dy kamera dhe një monokular.
Sipas Policisë, hetimet vijojnë për kapjen e 24-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara kriminale dhe përfshirjes së personave të tjerë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
The post Shkodër, sekuestrohet drogë, armë dhe municione. Arrestohen 2 vëllezër, 1 në kërkim (EMRAT) appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



