A i ka Fatmir Limaj 61 vota për kryeparlamentar? Flasin përfaqësuesit e partive opozitare dhe ata të minoriteteve jo-serbe
Në skenën politike kosovare ka nisur të qarkullojë gjerësisht ideja e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Nismës Socialdemokrate. Në qendër të kësaj marrëveshjeje të përfolur është emri i kreut të Nismës, Fatmir Limaj, i cili mund të jetë kandidati i përbashkët për postin e kryeparlamentarit, pasi që kandidatja e propozuar për

Në skenën politike kosovare ka nisur të qarkullojë gjerësisht ideja e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Nismës Socialdemokrate.
Në qendër të kësaj marrëveshjeje të përfolur është emri i kreut të Nismës, Fatmir Limaj, i cili mund të jetë kandidati i përbashkët për postin e kryeparlamentarit, pasi që kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, për më shumë se 20 herë ka dështuar t’i marrë së paku 61 votat e nevojshme të deputetëve.
LVV, si partia me më së shumti ulëse në Kuvend pas zgjedhjeve të fundit, është në kërkim të një shumice për të çuar përpara synimin e saj politik dhe për të siguruar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë deri më tani nuk ka asgjë zyrtare rreth një marrëveshje të tillë, por që ka pasur diskutime për një koalicion të mundshëm mes dy partive politike me orientim të majtë politik, e kanë konfirmuar edhe nga LVV por edhe nga NISMA.
Ndryshe, deri më tani për 23 herë me radhë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, séance kjo që kishte nisur me 15 prill të këtij viti.
A e voton Limajn për kryeparlamentar me votën e 61-të? Tregon Lutfi Haziri
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, për FrontOnline ka thënë se se vota e tij për kryetar të Kuvendit nuk është e lidhur me emrat e veçantë të kandidatëve, por me parimet politike dhe argumentet që qëndrojnë pas procesit.
Haziri u shpreh se ndryshimi i qëndrimit të tij nuk ka të bëjë me emrin e kandidatit, por me respektimin e rregullave dhe parimeve politike.
“Ajo që kam thënë unë që jam i gatshëm të votoj, nuk ka të bëjë me emrin e përveçshëm, ka të bëjë me argumentin dhe faktin se pse duhet ta votojmë dikë në këtë proces. Sepse emri i takon LVV-së, ata kanë fituar dhe kë do të le ta propozojnë,” ka deklaruar Haziri për FrontOnline.
Deputeti LDK-së theksoi se kjo është një çështje parimesh dhe jo preferencash për individë të caktuar. Ai shtoi se ndryshimi i votës së tij është i bazuar në respektin ndaj rregullave të demokracisë dhe jo në emra të veçantë.
“Kjo s’ka të bëjë me z.Limaj, sepse ai është përfaqësues i një partie tjetër. Edhe Limaj, edhe zonja tjetër, janë emra të përveçshëm. Emri i përveçshëm është emër i përveçshëm, parimet politike janë parime politike. Unë kam folur për parime politike, jo për emra të përveçshëm,” ka shtuar Haziri.
Emilja Rexhepi nuk e di nëse e voton Limajn: Edhe ne mund të japim një propozim për emër të kryeparlamentarit, i kemi 8 deputetë
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilja Rexhepi për FrontOnline, ka folur rreth votës së saj për kryetare të Kuvendit.
Rexhepi, ka thënë se ajo e di që vetëm Albulena Haxhiu, është kandidate për kryetare të Kuvendit dhe nuk ka informacion nëse për këtë pozitë mund të jetë edhe kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj.
‘’Unë e di që kandidati është VV Albulena, por nuk e di se çfarë thuhet dhe kush e thotë, nuk kam informacion’’ tha ajo.
E pyetur se a do ta votonte Limajn për këtë pozitë, Rexhepi ka thënë se LVV si parti fituese do të duhej ta propozonte njeriun e vetë nga radhët e saj.
‘’Kjo është një histori tjetër, mendoj se VV-ja si partia më e fortë politike në parlament me 48 deputetë ka të drejtë të propozojë njeriun e vet’’ u shpreh ajo.
Ajo deklaroi se mund edhe të japin propozimin e tyre për kryetar të Kuvendit.
‘’Nuk e di, do të shohim. Ne si grup multietnik prej 8 deputetësh që mbështesim qeverinë e Albin Kurtit, ndoshta mund të japim edhe propozimin tonë. Tani për tani votojmë për Albulenën, ajo është e vetmja kandidate’’ deklaroi ajo.
Deputeti Kinolli pa vendim nëse e voton Limajn për kryeparlamentar
Deputeti Albert Kinolli, për FrontOnline ka deklaruar se nuk mund të japë një përgjigje të saktë në lidhje me mbështetjen e tij për Fatmir Limajn si kryetar të Kuvendit, pasi nuk ka informacion të mjaftueshëm në këtë drejtim.
Kinolli tha se deri në momentin që nuk ka asnjë informacion të qartë dhe publik për këtë çështje, ai nuk mund të marrë një qëndrim.
“Nuk e kam këtë informacion dhe derisa s’kam informacion, s’mund të përgjigjem,” ka thënë Kinolli për FrontOnline.
Kinolli gjithashtu theksoi se, nëse Albin Kurti ka ftuar Limajn për të kandiduar për këtë post, atëherë kjo është çështje që duhet të shqyrtohet nga vetë Kurti.
“Nëse z.Kurti e ka ftuar Limajn, për këtë duhet menduar z.Kurti, por përderisa s’ka asgjë publike, s’kam përgjigjie,” shtoi Kinolli.
Asllani: Grupi Parlamentar multi-etnik do të mbështesë çdo propozim për kryetar të kuvendit nga LVV, përfshirë edhe Fatmir Limajn
Deputeti i komunitetit ashkali, Artan Asllani, për FrontOnline ka deklaruar se grupi parlamentar multi-etnik, në të cilin bën pjesë edhe ai, do të mbështesë çdo propozim për postin e kryetarit të Kuvendit që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Asllani theksoi se kjo mbështetje do të jetë e plotë, përfshirë këtu edhe kandidaturën e mundshme të Fatmir Limajt për këtë post.
‘’Çfarë do propozimi që vjen prej partisë që ka më së shumti ulëse, ne do të jemi mbështetës të tij’’ tha ai.
/FrontOnline/