Abdixhiku përkujton “poetin që i këndoi lirisë dhe Heroin e Kosovës”: Agim Ramadani u bë dritë në rrugëtimin tonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Heroin Agim Ramadani, në 26 vjetorin e rënies së tij. “Në historinë tonë të lavdishme; të papërsëritshme ditët si këto të prillit, aq sa na pikëllojnë, na bëjnë edhe më shumë krenar. Në prillin e vitit 1999, në majet e larta të Koshares, nën udhëheqjen

Abdixhiku përkujton “poetin që i këndoi lirisë dhe Heroin e Kosovës”: Agim Ramadani u bë dritë në rrugëtimin tonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Heroin Agim Ramadani, në 26 vjetorin e rënies së tij.

“Në historinë tonë të lavdishme; të papërsëritshme ditët si këto të prillit, aq sa na pikëllojnë, na bëjnë edhe më shumë krenar. Në prillin e vitit 1999, në majet e larta të Koshares, nën udhëheqjen e strategëve të luftës për liri, Agim Ramadani “Katana” dhe Sali Çekaj, u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me Betejën e Koshares, atë më të lavdishmen të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot, në 26-vjetorin e rënies heroike të Agim Ramadanit – strategut të shquar të luftës, poetit që i këndoi lirisë dhe Heroit të Kosovës, përkulemi me nderim dhe mirënjohje të thellë para veprës së tij shumëdimensionale dhe sakrificës së jashtëzakonshme për lirinë e vendit tonë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku tha se Agim Ramadani nuk ishte vetëm strateg ushtarak dhe luftëtar i paepur, por edhe piktor e shkrimtar, që idealin e lirisë e bëri pjesë të çdo vargu dhe veprimi të tij.

“Pra sot, kujtojmë jo vetëm luftëtarin e pathyeshëm, por edhe artistin që me penën dhe brushën e tij, i dha ngjyrë ëndrrës për liri. Ishte ai i cili, në kohët më të rënda zgjodhi përballjen, duke u bërë shembull i përhershëm i atdhedashurisë dhe sakrificës”.

“Agimi ra në agimin e 11 prillit 1999, në Betejën e lavdishme të Koshares, duke udhëhequr me guxim Grupin Operativ – 3, dhe duke shkruar me vetë gjakun e tij, njërën nga faqet më të ndritshme të historisë sonë. Ai ra, por nuk u shua në kujtesën tonë, sepse heronjtë si Agimi nuk vdesin kurrë, ata bëhen dritë në rrugëtimin tonë si popull. Pra, në agimin e lirisë, Heroi Agim Ramadani u bë dritë për përjetësi!”.

Në këtë përvjetor, tha Abdixhiku, nderojnë me mirënjohje të thellë figurën unike të Agim Ramadanit dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe shtetësinë tonë. Vepra e tyre është udhërrëfyesi ynë i përhershëm.

“Lavdi e përjetshme Heroit Agim Ramadani! Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për liri e pavarësi!”.