Afera 167 milionë € do ta dridhë Maqedoninë, të implikuar edhe familjarë politikanësh, ja emrat e tyre

Afera “Mazuti”, një nga hetimet më komplekse financiare-energjetike në vend me vlerë 167 milionë euro, ka marrë një kthesë të re gjyqësore-prokuroriale pasi Prokuroria e Lartë Publike ka anuluar vendimin për ndalimin e procedurës dhe ka urdhëruar plotësimin e veprimeve hetimore, duke rihapur çështjen e ligjshmërisë së prokurimeve të mazutit për TEC Negotinën gjatë krizës energjetike, përcjell INA.
Lënda, e cila përfshin 13 persona fizikë dhe një kompani, në maj të vitit 2026 u mbyll nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila atëherë e ndërpreu hetimin me arsyetimin se mungonin dëshmitë për ndotje ekologjike dhe se SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) nuk kishte pësuar dëm financiar, duke u furnizuar rregullisht gjatë krizës.
Megjithatë, pas ankesës së dorëzuar nga EMV-ja, Prokuroria e Lartë konstatoi dobësi serioze në ekspertizat e deritanishme ekonomike dhe urdhëroi kthimin e lëndës për shqyrtim të mëtejshëm dhe përcaktim të përgjegjësisë së mundshme personale dhe institucionale.
Hetimi përfshin bartësit e vendimeve kyçe gjatë realizimit të tenderëve, mes të cilëve janë pronarët e kompanisë “RKM” që fitoi tenderin, Ratko Kapushevski dhe Erxhan Sulkoski, pronari i “Pucko Petrol”, Asmir Jahoski, si dhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovacevski.
Por në këtë aferë jozyrtarisht mësohet se janë emra edhe të familjarëve të politikanëve dhe persona tjerë publik.
Pas vendimit për rihapjen e lëndës për Mazutin, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski theksoi dje se informacionet që posedon lidhur me këtë rast mund të tronditin opinionin publik.
“Në pajtueshmëri me atë që është ndarë me mua si informacion nga ana e atyre që kanë punuar intensivisht me atë lëndë. Informacionet që janë ndarë me mua e që lidhen me lëndën, jam i sigurt që do ta tronditin opinionin kur do të shpërndahen. Ja kaq do të them dhe do të lë që hetimi ta tregojë të veten” – deklaroi Toshkovski.
Por ai nuk u përgjigj nëse të dyshuarit aktual në këtë lëndë ndodhen ose jo brenda shtetit.
Ky rast ka shkaktuar përçarje të mëdha në opinionin publik midis akuzave politike dhe argumenteve ekonomike.
Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE më parë reaguan se mbyllja fillestare e rastit nga prokurorët Islam Abazi dhe Katerina Kollareviq paraqiste “amnisti për krimin e strukturave të afërta me LSDM-në dhe BDI-në”, ndërsa nga ana tjetër, pjesë e ekspertëve ekonomikë dhe analizave të mediave mbrojnë se blerja në fakt “shpëtoi miliona” për shkak se TEC Negotina prodhoi rrymë më të lirë në një periudhë kur energjia elektrike importuar në bursë kishte çmime jashtëzakonisht të larta, duke e lënë përgjigjen përfundimtare në duart e ekspertizave të reja financiare dhe teknike.(INA)
The post Afera 167 milionë € do ta dridhë Maqedoninë, të implikuar edhe familjarë politikanësh, ja emrat e tyre appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



