Aksident Fatal në Kavajë: 39-vjeçari Përplas Këmbësorin

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë, pranë mbikalimit të Gosës. Policia njofton se një automjet i drejtuar nga një 39-vjeçar ka përplasur për vdekje një këmbësor, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ndërkohë që grupi hetimor vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë, automjeti me drejtues R. Q., 39 vjeç, aksidentoi një këmbësor ende të paidentifikuar. Si pasojë e dëmtimeve të marra, këmbësori ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e viktimës, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.



