Albinfo.ch festoi 17-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një mbrëmje gala në Gjenevë
Ky event mblodhi personalitete të shquara nga fusha të ndryshme, përfshirë diplomatë, politikanë, afaristë, artistë dhe mbështetës të çështjes kombëtare The post Albinfo.ch festoi 17-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një mbrëmje gala në Gjenevë appeared first on Albinfo.

Në një ambient festiv dhe elegant, platforma albinfo.ch organizoi një mbrëmje gala në Gjenevë për të shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ky event i veçantë mblodhi personalitete të shquara nga fusha të ndryshme, përfshirë diplomatë, politikanë, afaristë, artistë dhe mbështetës të çështjes kombëtare. Pjesë e këtij solemniteti ishte edhe Konsullja e Kosovës në Gjenevë, zonja Filloreta Kabashi së bashku me përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Bernë.
Ngjarja u shoqërua nga interpretimi artistik i grupit të njohur nga Prishtina, Strings.Strings, i cili dha një dimension të veçantë emocional atmosferës festive.
Gjeneva, qendër e lobimit për Pavarësinë e Kosovës
Bashkimi Iseni, themelues i platformës Albinfo, shpjegoi arsyet pse kjo ngjarje u mbajt në Gjenevë, duke theksuar rëndësinë historike të këtij qyteti në procesin e pavarësimit të Kosovës.
“Në një bisedë me Sevdail Tahirin, drejtorin e Albinfo, vendosëm që duhet ta shënojmë këtë ditë të rëndësishme. Fillimisht menduam për Cyrihun, por unë insistova për Gjenevën. Ky qytet ka qenë një nga qendrat kryesore ku është zhvilluar aktiviteti diplomatik për pavarësinë e Kosovës. Në vitet e vështira, këtu u lobua fuqishëm për çështjen tonë kombëtare, përmes zyrës së informimit për Kosovën të drejtuar nga Xhafer Shatri dhe shumë të tjerë që sakrifikuan për këtë kauzë. Sot, shumë prej tyre mbajnë pozita të rëndësishme në vendimmarrje. Gjeneva, si qendër e diplomacisë ndërkombëtare, ishte vendi i duhur për të festuar këtë moment historik”.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Iseni shprehu dëshirën që kjo nismë të kthehet në një traditë dhe që pavarësia e Kosovës dhe Shqipërisë të festohet gjithnjë me dinjitet.
Kosova dhe rruga e saj drejt konsolidimit shtetëror
Konsullja e Kosovës në Gjenevë, zonja Filloreta Kabashi, në fjalimin e saj përshëndetës, shprehu mirënjohjen për këtë organizim dhe theksoi rrugëtimin e Kosovës drejt shtetësisë së konsoliduar.
“Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë, duke realizuar ëndrrën dhe sakrificën e brezave të tërë. Ky akt historik ishte kulmimi i një rezistence të gjatë dhe për këtë, sot përulemi me respekt për të gjithë ata që dhanë gjithçka për lirinë tonë. Një falënderim i veçantë shkon për aleatët tanë, të cilët qëndruan në krahun tonë, si dhe për diasporën shqiptare, e cila me punën dhe përkushtimin e saj vazhdon të jetë një shtyllë jetike për zhvillimin e vendit”.
Konsullja vlerësoi gjithashtu rolin e platformës Albinfo si një urë e rëndësishme lidhëse mes diasporës dhe atdheut, duke promovuar kulturën, gjuhën dhe vlerat kombëtare.
“Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! Le të jetojë përjetësisht e lirë, krenare dhe e fortë Republika jonë!”
Me fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, z. Valon Gashi.
Albinfo.ch – Një urë mes diasporës dhe atdheut
Platforma Albinfo.ch, përmes organizimeve të tilla, synon të krijojë hapësira rrjetëzimi për shqiptarët e mërgatës dhe të sigurojë që datat më të rëndësishme për kombin të përkujtohen me dinjitet.
Kjo mbrëmje në Gjenevë jo vetëm që riktheu në kujtesë rrugën e vështirë drejt pavarësisë, por gjithashtu përçoi një mesazh të fuqishëm uniteti dhe krenarie kombëtare. Ajo dëshmoi edhe një herë se shqiptarët, kudo që ndodhen, mbeten të lidhur shpirtërisht me atdheun e tyre.
The post Albinfo.ch festoi 17-Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një mbrëmje gala në Gjenevë appeared first on Albinfo.