Aleatët e NATO-s ngulin këmbë se Ukraina dhe Evropa duhet të përfshihen në bisedime me Rusinë
Disa vende aleate të NATO-s kanë theksuar të enjten se Ukraina dhe Evropa nuk duhet të përjashtohen nga bisedimet për paqe, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump sinjalizoi se synon fillimin e bisedimeve ballë për ballë me Rusinë, pa përfshirë ato. “Të mos harrojmë, Rusia mbetet kërcënim edhe [për vendet] shumë përtej Ukrainës”, tha [...]Read More...

Disa vende aleate të NATO-s kanë theksuar të enjten se Ukraina dhe Evropa nuk duhet të përjashtohen nga bisedimet për paqe, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump sinjalizoi se synon fillimin e bisedimeve ballë për ballë me Rusinë, pa përfshirë ato.
“Të mos harrojmë, Rusia mbetet kërcënim edhe [për vendet] shumë përtej Ukrainës”, tha sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey, pasi SHBA-ja tronditi NATO-n duke thënë se Ukraina nuk duhet t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe se aleatët evropianë duhet ta marrin përsipër ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën në të ardhmen.
“Nuk mund të ketë bisedime për Ukrainën pa Ukrainën. Zëri i Ukrainës duhet të dëgjohet në çfarëdo bisedimesh”, tha Healey për gazetarë në selinë e NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha: “Për mua është e qartë…. Evropa duhet të përfshihet në bisedime dhe mendoj se kjo mund të kuptohet lehtësisht”.
Ministrat e 32 vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur për bisedime për Ukrainën në Munih.
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, tha se vendet evropiane siguruan rreth 60% të mbështetjes ushtarake për Ukrainën vitin e kaluar dhe duhet të jenë të përfshira, veçanërisht duke pasur parasysh kërkesat e SHBA-së që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e Ukrainës në të ardhmen.
“Është shumë e natyrshme që ne të angazhohemi në këto diskutime”, tha Jonson.