Ardon Jashari e zgjedh Milanin, marrëveshja drejt finalizimit

Ardon Jashari është gjithnjë e më afër kalimit te AC Milan. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka bërë zgjedhjen e tij të qartë: dëshiron vetëm Milanin, duke refuzuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha në Europë. Sipas La Gazzetta dello Sport, Jashari ka arritur një marrëveshje verbale me kuqezinjtë për një kontratë pesëvjeçare, […]

Ardon Jashari e zgjedh Milanin, marrëveshja drejt finalizimit

Ardon Jashari është gjithnjë e më afër kalimit te AC Milan. Mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane ka bërë zgjedhjen e tij të qartë: dëshiron vetëm Milanin, duke refuzuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha në Europë.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Jashari ka arritur një marrëveshje verbale me kuqezinjtë për një kontratë pesëvjeçare, me një pagë neto prej 2.8 milionë eurosh në sezon. Më tej, përmes përfaqësuesit të tij, ai ka informuar Club Brugge – klubin që zotëron kartonin e tij – se nuk dëshiron të transferohet askund tjetër, pavarësisht ofertave të rëndësishme që kanë mbërritur nga Borussia Dortmund, disa skuadra angleze dhe Al-Ittihad në Arabinë Saudite, transmeton ORAinfo.

Këtë qëndrim të qartë të lojtarit po e shfrytëzon edhe vetë Milani në tryezën e negociatave. Mbrëmjen e djeshme, drejtuesit kuqezi kanë dorëzuar një ofertë të përmirësuar zyrtare në drejtim të Brugge, që kap vlerën totale prej rreth 35 milionë eurosh, përfshirë bonuset. Klubi belg këmbëngul për një shumë fikse prej 35 milionë eurosh, por mbetet për t’u parë nëse kushtet e bonuseve dhe dëshira e qartë e lojtarit do të mjaftojnë për të bindur drejtuesit belgë.

Allegri e kërkon me ngulm

Ndër më të interesuarit për të mbyllur sa më shpejt këtë transferim është trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri. Edhe pse nuk ishte i pranishëm në takimin e fundit mes drejtuesve të klubit – ku morën pjesë Igli Tare, Giorgio Furlani, Geoffrey Moncada dhe Zlatan Ibrahimovic – tekniku italian po ndjek gjithçka nga afër dhe e konsideron Jasharin një përforcim kyç për repartin e mesfushës.

Milan tashmë ka siguruar shërbimet e Luka Modric dhe është pranë mbylljes së marrëveshjes për Samuele Ricci. Me afrimin e Jasharit, Allegri do ta kishte mesfushën e kompletuar për sezonin e ri. Si pasojë, priten largime nga ky repart, me emra si Yacine Adli, Tommaso Pobega dhe Ismael Bennacer që nuk përfshihen më në planet teknike.

Vendimtare brenda javës

Tashmë distanca mes palëve është ngushtuar ndjeshëm dhe gjithçka duket se do të vendoset në ditët në vijim. Jashari, i cili ka qenë tifoz i Milanit që në fëmijëri dhe ka ndjekur nga shkallët e San Siros ndeshjen ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve më 2011, është gati të realizojë ëndrrën për të veshur fanellën kuqezi – këtë herë jo si tifoz apo kundërshtar, por si protagonist në fushë. /ORAinfo/