BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë

BBC i ka kushtuar një artikull trafikut të kokainës dhe operacionet e saj nga Mafia shqiptare, ku ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, kryesisht për shkak të rrugëve të përshtatshme të trafikut nëpër vend. Thuhet se tani ajo kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut […] The post BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë appeared first on Albinfo.

BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë

BBC i ka kushtuar një artikull trafikut të kokainës dhe operacionet e saj nga Mafia shqiptare, ku ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, kryesisht për shkak të rrugëve të përshtatshme të trafikut nëpër vend.

Thuhet se tani ajo kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Artikulli i plotë

Ka pasur raste kur César, i cili punon për mafinë shqiptare, ka fituar deri në 3 mijë dollarë për një punë që ka kryer, por motivi për të nuk janë vetëm paratë. “Nëse nuk e bën një punë që kërkojnë shqiptarët, ata do të të vrasin”, thotë ai

“Mafia shqiptare më telefononte dhe më thoshte: “Duam të dërgojmë 500 kilogramë drogë. Nëse nuk pranon, ata do të të vrasin”.

César (jo emri i tij i vërtetë) është anëtar i “Latin Kings” (Mbretërve latinë), bandë kriminale droge në Ekuador. Ai u rekrutua nga një zyrtar i korruptuar i policisë në departamentin antidrogë për të punuar për mafinë shqiptare, një nga rrjetet më aktive dhe më të fuqishme të trafikut të kokainës në Evropë.
Mafia shqiptare ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit dhe tani kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Pavarësisht se Ekuadori nuk e prodhon drogën, 70 për qind e kokainës në botë tani rrjedh nëpër portet e tij, thotë presidenti ekuadorian Daniel Noboa.

Ajo kontrabandohet në vend nga Kolumbia dhe Peruja fqinje, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.

Policia ka njoftuar se ka sekuestruar një sasi rekorde droge të paligjshme vitin e kaluar, pjesa më e madhe e saj e llojit kokainë, dhe kjo tregon se eksportet totale kanë shënuar rritje.

Pasojat janë vdekjeprurëse: Në janarin e 2025-s u regjistruan 781 vrasje, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës në vitet e fundit. Shumë prej tyre kishin lidhje me tregtinë e paligjshme të drogës.
BBC ka folur me personat të cilët kanë njohuri për zinxhirin e furnizimit në mënyrë që të kuptojë se pse kjo krizë po përkeqësohet dhe se si po e nxit rritja e konsumit evropian të kokainës.

César, 36 vjeç, filloi të punonte me kartele kur ishte 14 vjeç, duke përmendur si faktor mundësitë e pakta të punës.

“Shqiptarët kishin nevojë për dikë që do t’i zgjidhte problemet”, shpjegon ai. “I njihja rojat e portit, shoferët e transportit, mbikëqyrësit e kamerave të qytetit”.

Ai u jep këtyre personave ryshfet për të lehtësuar procesin e kontrabandës së drogës në portet e Ekuadorit ose për të mbyllur një sy.

Pasi kokaina arrin në Ekuador nga Kolumbia ose Peruja, ajo ruhet në magazina derisa punëdhënësit e tij shqiptarë të marrin informacione për ndonjë kontejner transporti, i cili do të niset për në Evropë.
Bandat përdorin tri metoda kryesore për të kontrabanduar kokainën në kontejnerë: fshehjen e drogës në kontejnerë para se të arrijë në port, fshehjen e drogës në kontejnerë gjatë kohës sa ata janë në port ose fshehjen e drogës kur anijet janë veçse në det.

Ka pasur raste kur César ka fituar deri në 3 mijë dollarë për një punë që ka kryer, por motivi për të nuk janë vetëm paratë. “Nëse nuk e bën një punë që kërkojnë shqiptarët, ata do të të vrasin”, thotë ai.
César thotë se ndien keqardhje për rolin e tij në tregtinë e drogës, veçanërisht për ato që ai i quan “viktima kolaterale”.

Por ai beson se fajin e kanë vendet konsumatore. “Nëse konsumi vazhdon të rritet, do të rritet edhe trafiku. Do të jetë i pandalshëm”, thotë ai, duke shtuar se “vetëm në qoftë se e luftojnë atje, do të përfundojë këtu”.

Punëtorët e zakonshëm, jo vetëm anëtarët e bandës, kapen në këtë zinxhir furnizimi.

Juan (jo emri i tij i vërtetë), është një shofer kamioni. Një ditë ai çoi një ngarkesë tunë për në port. Ai thotë se dyshonte që diçka nuk po shkonte siç duhej.

“Gjëja e parë që më bëri të dyshoja ishte se kur shkuam në magazinë nuk kishte asgjë tjetër veçse ajo ngarkesë. Ishte një magazinë me qira, pa emër kompanie”, kujton ai. “Dy muaj më vonë e pashë në lajme se kontejnerët plot me drogë ishin sekuestruar në Amsterdam. Nuk e kemi ditur kurrë”.

Disa shoferë transportojnë drogë pa e ditur; të tjerët detyrohen. Nëse refuzojnë, vriten.

Bandat evropiane preferojnë Ekuadorin për shkak të vendndodhjes së tij, por edhe për arsye se eksportet e ligjshme ofrojnë mundësi të përshtatshme për të fshehur ngarkesën e paligjshme.

“Eksportet e bananeve përbëjnë 66% të ngarkesave që largohen nga Ekuadori, 29.81% shkojnë në Bashkimin Evropian, ku konsumi i drogës po rritet”, shpjegon përfaqësuesi i industrisë së bananeve, José Antonio Hidalgo.

Disa banda madje kanë krijuar kompani të rreme të importit ose eksportit të frutave në Evropë dhe Ekuador si front për aktivitete të paligjshme.

“Këta trafikantë evropianë paraqiten si biznesmenë”, thotë “José” (jo emri i tij i vërtetë), një prokuror që synon grupet e krimit të organizuar dhe që foli në mënyrë anonime për shkak të kërcënimeve që ka marrë.

Një shembull famëkeq është Dritan Gjika, i akuzuar si një nga udhëheqësit më të fuqishëm të mafisë shqiptare në Ekuador.

Prokurorët thonë se ai kishte aksione në kompanitë e eksportit të frutave në Ekuador dhe kompanitë e importit në Evropë, të cilat i përdorte për trafikimin e kokainës. Ai mbetet në arrati, por shumë nga bashkëpunëtorët e tij janë përballur me drejtësinë pas një operacioni policor ndërkombëtar.

Avokatja Monica Luzárraga mbrojti një nga bashkëpunëtorët e tij dhe tani flet hapur për njohuritë e saj mbi funksionimin e këtyre rrjeteve. 

“Gjatë atyre viteve eksporti i bananeve në Shqipëri lulëzoi”, thotë ajo.

Rritja e kërkesës

Në portet e Ekuadorit policia dhe forcat e armatosura përpiqen të kontrollojnë situatën.

Varkat patrullojnë ujërat e vendit, policia skanon kutitë e bananeve për të parë mos janë të ngarkuara me kokainë dhe madje edhe zhytësit e policisë kërkojnë për drogë të fshehur nën anije.

Të gjithë janë të armatosur rëndë, madje edhe ata që thjesht ruajnë kutitë e bananeve përpara se ato të ngarkohen në kontejnerët e transportit. Kjo sepse nëse droga gjendet gjatë këtyre kontrolleve, ka të ngjarë që i përfshirë të jetë ndonjë punonjës i portit dhe në këtë rast mund të ketë ndonjë incident të dhunshëm. 

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, policia thotë se sasia e kokainës që po kontrabandohet me sukses nga Ekuadori ka arritur rekord të lartë. Sipas tyre, rritja e kërkesës dhe faktorët ekonomikë janë fajtorët kryesorë.

Gati 300 tonë drogë u kapën vitin e kaluar, rekord i ri vjetor, sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit.

Majori i Policisë Kombëtare, Christian Cozar Cueva, thotë se “ka pasur rritje prej rreth 30% të konfiskimeve të drejtuara drejt Evropës në vitet e fundit”.

Kjo rritje e dërgesave të kokainës e ka bërë situatën më të rrezikshme për ata që kapen në zinxhirin e furnizimit.

Shoferi i kamionit “Juan” thotë se rritja e “kontaminimit të kontejnerëve” e bën më të pasigurt.
Ai thotë se zyrtarët kapën një kontejner një ditë më parë me dy tonë drogë: “Dikur ishin kilogramë, tani flasim për tonë”. “Nëse nuk i “kontaminoni” kontejnerët, keni dy mundësi: të lini punën ose të përfundoni të vdekur”.

Ekonomia e goditur nga pandemia Covid-19 la shumë ekuadorianë të hapur përballë rekrutimit në banda kriminale.

Një shtet që ishte i dobët financiarisht pas pandemisë, një forcë sigurie që kishte më pak përvojë në trajtimin e krimit të organizuar dhe ligjet e marrjes së vizave, lehtësuan praninë e bandave evropiane atje pas vitit 2020.

Monica Luzárraga thotë se viti 2021 ishte viti kur “infiltrimi i mafisë shqiptare mori hov”.

Ajo thotë se kjo periudhë përkoi me një “fluks” të qytetarëve shqiptarë në vend dhe rritje të eksportit të bananeve, përfshirë edhe në Shqipëri.

“Ky është një biznes fitimprurës që dëmton Ekuadorin dhe nga i cili përfitojnë organizatat kriminale. Si mund ta pranojmë një ekonomi të ndërtuar mbi vuajtjet?”

Mesazhi për Evropën

Zemërimi ndaj karteleve të huaja nuk është befasues, duke pasur parasysh kontributin e tyre në përshkallëzimin e dhunës në vend. Por një gjë për të cilën bien dakord disa trafikantë dhe ata që i luftojnë është se tregtia ushqehet nga konsumatorët, veçanërisht në Evropë, SHBA dhe Australi.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se konsumi global i kokainës ka arritur nivele rekord. Sipas sondazheve, Mbretëria e Bashkuar ka shkallën e dytë më të lartë në botë të konsumit të kokainës.

Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar (NCA) vlerëson se Mbretëria e Bashkuar konsumon rreth 117 tonë kokainë në vit dhe ka tregun më të madh në Evropë.

Bazuar në të dhënat e fundit, konsumi në Mbretërinë e Bashkuar është në rritje.

Autoritetet sekuestruan rreth 232 tonë kokainë në vitin 2024, krahasuar me 194 tonë në vitin 2023.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare antikrim (NCA), Charles Yates, thotë se kjo e bën Mbretërinë e Bashkuar “vendin ideal” për grupet e krimit të organizuar, të cilat përfitojnë nga kërkesa e lartë.
Ai vlerëson se tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar vlen rreth 11 miliardë funte (14.2 miliardë dollarë) dhe bandat kriminale fitojnë rreth 4 miliardë funte në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata që i luftojnë këto banda në Ekuador, si prokurori José, thonë se u takon “vendeve, shtetasit e të cilëve janë konsumatorë të ushtrojnë kontroll më të madh” mbi ata që financojnë tregtinë.
Viktimat përballen me shumë pasoja.

Për Hidalgon, janë eksportuesit e bananeve ata që humbasin reputacionin dhe dëmtohen ekonomikisht. Për Luzárragan, janë “fëmijët, adoleshentët, ata që po tërhiqen nga bandat kriminale”.

“Në Evropë ka qytetarë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha parash për të pasur drogën që konsumojnë. Droga që përfundimisht po u kushton me jetë qytetarëve ekuadorianë”, ka thënë avokatja.

NCA-ja thekson se përveç këtyre efekteve “katastrofike” në komunitetet përgjatë zinxhirit të furnizimit, po regjistrohen viktima shtesë për shkak të ndikimeve kardiovaskulare dhe psikologjike te përdoruesit e saj. Vdekjet e lidhura me kokainën në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 30% në vitin 2023 krahasuar me 2022-tën.

NCA-ja paralajmëron gjithashtu se droga përkeqëson dhunën në familje.

Presidenti Daniel Noboa, i cili synon mandatin e dytë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale më 13 prill, e ka bërë luftën kundër bandave kriminale një nga prioritetet e tij kryesore dhe ka vendosur që ushtria të trajtojë dhunën e lidhur me bandat.

“Zinxhiri që përfundon në ‘argëtim në Mbretërinë e Bashkuar’ përfshin shumë dhunë. Ajo që është argëtuese për një person ndoshta vret 20 njerëz gjatë rrugës”, thotë ai.

The post BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë appeared first on Albinfo.