“Çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet të dëgjohet në Beograd, Bruksel, Uashington, Strasburg dhe Nju Jork”

“Çështja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet të dëgjohet në Beograd, Bruksel, Uashington, Strasburg dhe Nju Jork”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Prishtinë përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës, duke akuzuar institucionet e Serbisë për diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve.

Por, përtej deklaratave politike, shtrohet pyetja se sa po trajtohet kjo çështje nga institucionet ndërkombëtare dhe nëse kërcënimet, presionet, pasivizimi i adresave dhe nënpërfaqësimi i shqiptarëve po marrin vëmendjen e duhur.

Ekspertët vlerësojnë se Kosova dhe Shqipëria duhet ta shndërrojnë mbështetjen politike në diplomaci konkrete, dokumentim dhe presion ndërkombëtar, ndërsa vetë shqiptarët e Luginës duhet të jenë protagonistë të kësaj agjende.

A mund të kërkohet nga Serbia respektimi i standardeve evropiane dhe të drejtave të njeriut, ndërkohë që problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë mbeten në margjinat e agjendës ndërkombëtare? Dhe kush duhet t’u dalë më fuqishëm në krah shqiptarëve të Luginës?

Hyseni: Çfarë po bëjnë institucionet ndërkombëtare përballë një problemi që shqiptarët e Luginës e konsiderojnë diskriminim sistematik?
Sa po e dëgjon bota zërin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës?”. Kjo është pyetja që shtron analisti dhe publicisti Nehat Hyseni, duke komentuar takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesit politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës në Prishtinë dhe akuzat e tij ndaj politikës së Beogradit për diskriminimin e shqiptarëve.

Hyseni, në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se ky takim dhe deklaratat e Kurtit e rikthejnë në vëmendje një çështje që, sipas tij, prej shumë vitesh është trajtuar si problem periferik i Ballkanit – gjendjen politike, juridike, institucionale dhe demografike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Pyetja që shtrohet sot nuk është vetëm nëse Kryeministri i Kosovës ka të drejtë të flasë për këtë problem. Pyetja më e rëndësishme është: çfarë po bëjnë institucionet ndërkombëtare përballë një problemi që shqiptarët e Luginës e konsiderojnë diskriminim sistematik dhe që është dokumentuar ndër vite nga organizata vendore e ndërkombëtare?”, shprehet ai.

Sipas Hysenit, kjo është një çështje që nuk mund të mbulohet më vetëm me deklarata diplomatike. Ai konsideron se është e drejtë që Prishtina dhe Tirana ta ngrenë zërin për shqiptarët e Luginës, por thekson se mbi të gjitha nevojitet që çështja të trajtohet në institucionet ndërkombëtare dhe përmes mekanizmave të matshëm të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Ai përmend pasivizimin e adresave të banimit, përfaqësimin joadekuat në institucionet shtetërore, problemet me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin, tekstet shkollore, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si dhe dobësimin gradual të pranisë institucionale shqiptare.

“Këto nuk janë çështje që mund të reduktohen në një konflikt të zakonshëm politik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, thotë Hyseni.

“Kur një komunitet humbet gradualisht mundësinë për të jetuar, punuar, votuar, përfaqësuar dhe zhvilluar jetën e tij në vendin ku ka jetuar historikisht, atëherë kemi të bëjmë me një problem të të drejtave themelore të njeriut”, deklaron ai.

Hyseni i referohet edhe raportimeve për pasivizimin e adresave të shqiptarëve, duke thënë se kjo praktikë ka ngritur shqetësime lidhur me humbjen e të drejtave civile dhe politike, përfshirë të drejtën e votës, pronës, sigurimit shëndetësor dhe punësimit.

“Prandaj, nuk mjafton që Prishtina të protestojë dhe Beogradi të mohojë. Duhet një mekanizëm ndërkombëtar që ta masë, dokumentojë dhe vlerësojë këtë realitet”, thekson Hyseni.

Duke folur për reagimin ndërkombëtar, Hyseni thotë se çështja e shqiptarëve të Luginës është trajtuar ndër vite në një hapësirë gri ndërmjet politikës së brendshme të Serbisë dhe diplomacisë rajonale.

“Përgjigjja është: po, por jo në masën dhe intensitetin që kërkon situata”, shprehet ai.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare shpesh është fokusuar në dialogun Beograd–Prishtinë, ndërsa shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë mbetur jashtë tryezës ku diskutohen çështjet që drejtpërdrejt ndikojnë në fatin e tyre.

“Ky është një paradoks politik!”, thekson Hyseni.

Ai shton se, nëse të drejtat e komuniteteve janë pjesë e standardeve evropiane dhe euroatlantike, nuk mund të ketë standarde të ndryshme për komunitetet shqiptare në Serbi krahasuar me serbët në Kosovë.

Hyseni e konsideron si zhvillim të rëndësishëm hyrjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, përmes H.R. 6411 – Preshevo Valley Discrimination Assessment Act.

Sipas tij, kjo iniciativë synon të kërkojë nga Sekretari amerikan i Shtetit një raport mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me vëmendje të veçantë ndaj shqiptarëve të Luginës.

“Kjo nuk është ende zgjidhje e problemit. Por është një hap me rëndësi strategjike”, thotë ai.

Sipas Hysenit, rëndësia e kësaj iniciative qëndron në mundësinë që çështja të kalojë nga niveli i “ankesave politike” në nivelin e “vlerësimit institucional të politikës shtetërore të Serbisë ndaj pakicave”.

“Dhe kjo është pikërisht ajo që shqiptarët e Luginës duhet ta kërkojnë!”, shprehet ai.

Duke folur për përgjegjësinë e institucioneve serbe, Hyseni thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe institucionet e Beogradit kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë qytetarët e Serbisë, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Nuk është e mjaftueshme të thuhet se shqiptarët kanë të drejta të barabarta në Kushtetutë”, deklaron ai.

“Të drejtat nuk maten vetëm me atë që shkruhet në Kushtetutë, por me atë që ndodh në jetën reale”, shton Hyseni.

Ai vlerëson se një demokraci funksionale duhet të dëshmojë se shqiptari në Preshevë, Bujanoc apo Medvegjë ka mundësi reale për arsimim, punësim, përfaqësim, përdorim të gjuhës, pjesëmarrje politike, zhvillim ekonomik dhe siguri juridike.

“Nëse këto të drejta ekzistojnë vetëm në letër, atëherë kemi një hendek serioz ndërmjet barazisë formale dhe barazisë substanciale”, thekson ai.

Hyseni thotë se përgjegjësia e parë për përfaqësimin e shqiptarëve të Luginës u takon vetë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Asnjë qeveri në Prishtinë apo Tiranë nuk mund ta zëvendësojë organizimin politik, institucional dhe qytetar të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, shprehet ai.

Megjithatë, ai thekson se shqiptarët e Luginës nuk duhet dhe nuk mund të jenë vetëm.

“Në radhë të parë duhet të veprojnë Kosova dhe Shqipëria, jo me deklarata sporadike, por me një politikë të përbashkët, të koordinuar dhe afatgjatë”, deklaron Hyseni.

Sipas tij, Kosova duhet ta shohë Luginën jo vetëm si çështje simbolike kombëtare, por si çështje të të drejtave të njeriut dhe të sigurisë rajonale.

Ndërsa Shqipëria, si shtet anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas Hysenit, duhet ta përdorë më fuqishëm kapitalin e saj diplomatik në Bruksel, Uashington, Berlin, Londër dhe në organizatat ndërkombëtare.

Përgjigjja duhet të jetë: jo pa një vlerësim serioz të standardeve të të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, thekson Hyseni.

Ai kërkon që të njëjtat standarde që Brukseli i kërkon Kosovës për komunitetet pakicë, t’i kërkohen edhe Serbisë për shqiptarët e Luginës.

“Kjo nuk është privilegj për shqiptarët. Është parim evropian”, deklaron ai.

Sipas Hysenit, një prej problemeve më të mëdha historike të shqiptarëve të Luginës ka qenë trajtimi i fatit të tyre si çështje dytësore në raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Kjo duhet të ndryshojë”, thotë ai.

“Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk duhet të jenë monedhë kusuritjeje në negociatat politike. Ata kanë të drejtë të kenë zërin e tyre, agjendën e tyre dhe përfaqësimin e tyre”, deklaron Hyseni.

Ai vlerëson se edhe politika e Prishtinës duhet të jetë e kujdesshme.

“Mbështetja për Luginën është e domosdoshme, por ajo duhet të jetë institucionale, gjithëpërfshirëse dhe në koordinim me vetë përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve atje”, shprehet ai.

Hyseni thotë se ka ardhur koha që Prishtina dhe Tirana, në bashkëpunim me përfaqësuesit shqiptarë të Luginës, të hartojnë një “Strategji Kombëtare dhe Ndërkombëtare për Luginën e Preshevës”.

Në këtë kuadër, ai konsideron se iniciativa amerikane H.R. 6411 duhet të shfrytëzohet si një mundësi e re për ta vendosur çështjen e Luginës në një kornizë serioze ndërkombëtare.

Në përmbyllje, Hyseni thekson se shqiptarët e Luginës nuk kanë nevojë për mëshirë, por për barazi, drejtësi dhe garanci institucionale.

“Shqiptarët e Luginës nuk kanë nevojë për mëshirë. Ata kanë nevojë për barazi, drejtësi dhe garanci institucionale”, deklaron ai.

Sipas tij, nuk duhet të kërkohet trajtim special për shkak se janë shqiptarë, por zbatimi i standardeve që Serbia i ka pranuar vetë si shtet evropian.

“Kjo është rruga më e fortë politike dhe juridike”, shprehet Hyseni.

Ai vlerëson se deklaratat e Kryeministrit Kurti mund të jenë të dobishme nëse shndërrohen në politikë konkrete, ndërsa deklaratat e Tiranës janë të rëndësishme nëse pasohen nga diplomaci aktive.

Ai e sheh edhe diasporën shqiptare si një faktor të rëndësishëm.

“Në Uashington, Bruksel, Londër dhe kryeqytetet evropiane duhet të ndërtohet një diplomaci e strukturuar e Luginës së Preshevës, e bazuar në dokumente, raporte, statistika dhe dëshmi konkrete”, thotë Hyseni.

“Nuk mjafton të thuhet: ‘Shqiptarët diskriminohen’!”, shton ai.

Sipas tij, vetëm përmes një dokumentimi të tillë një çështje kombëtare mund të shndërrohet në çështje të besueshme ndërkombëtare.

Hyseni konsideron se Bashkimi Evropian ka një instrument të rëndësishëm për ta adresuar këtë çështje – procesin e integrimit evropian të Serbisë.

“A mund të avancojë Serbia drejt Bashkimit Evropian pa zgjidhur problemet reale të pakicave të saj?”, pyet ai.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.