Çfarë do të sjellin protestat kundër Erdogan?
“Frika nuk ka asnjë dobi në vdekje! Ju do të mposhteni nga drejtësia jonë, guximi ynë, modestia jonë, nga fytyra jonë e qeshur!”. Kështu u shpreh Ekrem İmamoğlu kur një gjykatë e cilësoi të vlefshme masën e arrestit ndaj tij mëngjesin e 23 marsit. Kryebashkiaku i Stambollit, një nga figurat më të shquara të opozitës [...]Read More...

“Frika nuk ka asnjë dobi në vdekje! Ju do të mposhteni nga drejtësia jonë, guximi ynë, modestia jonë, nga fytyra jonë e qeshur!”.
Kështu u shpreh Ekrem İmamoğlu kur një gjykatë e cilësoi të vlefshme masën e arrestit ndaj tij mëngjesin e 23 marsit.
Kryebashkiaku i Stambollit, një nga figurat më të shquara të opozitës turke dhe i përzgjedhur nga partia e tij CHP si kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme të 2028-ës, është ndalur me akuzën për korrupsion. Për momentin, ndryshe nga sa u mendua në fillim, nuk është vërtetuar akuza për terrorizëm, duke shmangur skenarin e një administrimi të mundshëm të bashkisë nga qeveria.
Në këtë rast, këshilli bashkiak me shumicë nga CHP, duhet të zgjedhë një zëvendësues të mërkurën. Imamoğlu u transferua në burgun e Silivrit, ku mbahet i burgosur edhe ish-lideri i partisë pro-kurde DEM, Sehlattin Demirtaş, filantropisti Osman Kavala dhe së fundmi kreu i Partisë së Fitores (Zafer Partisi) Ümit Özdağ.
Që nga dita e arrestimit të tij, 19 mars, kur policia e mori nga shtëpia e tij, qeveria i ka penguar demonstratat, ka bllokuar disa zona të Stambollit – sidomos pranë ndërtesës së bashkisë në Saraçhane – dhe ka vendosur masa sigurie shtesë për t’u përballur me protestuesit.
Një ndër këto zona është edhe sheshi historik Taksim, ku në vitin 2013 u zhvilluan protesta të mëdha anti-qeveritare në mbrojtje të parkut Gezi. Duke sfiduar ndalesat e vendosura nga guvernatori i rajonit të Stambollit, protestuesit – deri tani kryesisht studentë, parti të majta dhe disa sindikata – mësynë në rrugë me qindra mijëra në zona të ndryshme, jo vetëm në Stamboll por në shumë qytete të tjera të Turqisë.
Ajo që bie në sy është sinergjia e madhe e protestave. Politikisht heterogjene, pjesëmarrja duket se shtrihet përtej përkatësive partiake, duke përfshirë zona që historikisht nuk qeverisen nga partia kryesore opozitare. Dhe këtu qëndron dallimi me protestat e parkut Gezit.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, ato që krijojnë terren pjellor për një pjesëmarrje më të gjerë kombëtare, janë kushtet ekonomike shumë më të këqija, dhe mungesa e perspektivës së rinisë turke. Duke përfituar nga pakënaqësia më e madhe, CHP e udhëhequr nga Özgür Özel, ka përdorur që në fillim një strategji dhe narrativë që u bën thirrje njerëzve të dalin në rrugë, pa pasur frikë nga shprehja e kundërshtimit ndaj qeverisë.
Në fjalimin e tij të fundit para protestuesve, Özel shprehu gatishmërinë e tij për një bojkot ekonomik ndaj kompanive dhe mediave të lidhura me qeverinë që nuk i transmetojnë drejtpërdrejt demonstratat. Në përputhje me idenë e shprehjes së pakënaqësisë së përgjithshme, një nga parullat kryesore të cilës i referohet lidershipi i CHP-së është “Të gjithë ose asnjë”.
Kjo tregon se megjithëse Turqia ka përjetuar një kufizim të lirive dhe një nivel në rritje të autoritarizmit për vite me radhë, lëvizja e fundit e paskrupullt e qeverisë shënon fillimin e një lëvizjeje të fortë anti-Erdogan. Goditja ndaj opozitës, e nisur me anulimin e diplomës universitare të Imamoğlu – një kriter kushtetues i detyrueshëm për garimin për president – nga universiteti më i vjetër i Stambollit, ka shkaktuar një reagim të paprecedentë në historinë e republikës.
E parë si një ndërhyrje tjetër e qeverisë, si në sferën gjyqësore ashtu edhe në jetën e individëve, veprimet e Recep Tayyp Erdogan kanë nxitur një mobilizim popullor të paprecedentë. I tillë ishte edhe numri i personave që dolën në votime të dielën e 23 marsit në zgjedhjet paraprake brenda CHP-së.
Edhe pse tashmë të planifikuara, e reja nuk ishte vetëm që mbaheshin për herë të parë, por edhe pjesëmarrja e qytetarëve që nuk ishin anëtarë të partisë. Radhët e gjata në votime treguan se, edhe nëse kushtet aktuale e pengojnë zgjedhjen e tij, Imamoğlu mbetet një figurë e aftë për të bashkuar segmente të ndryshme të shoqërisë dhe për të përhapur një narrativë depolarizuese në arenën politike turke.
Sipas të dhënave, pjesëmarrja arriti në 15 milionë, nga të cilat afërsisht 13 milionë ishin vota solidariteti nga jo anëtarët. Janë pikërisht këto aftësi organizative dhe mobilizuese në një kontekst kufizues, që përbëjnë një kërcënim konkret për strategjitë “përça e sundo” që kanë siguruar mbijetesën dhe transformimin e Erdogan dhe partisë së tij AKP vitet e fundit.
Degradimi i shtetit ligjor dhe paparashikueshmëria e sistemit gjyqësor, e kanë shtyrë CHP të thërrasë më 6 prill një kongres të jashtëzakonshëm. Kjo edhe për të shmangur kërcënimin e frikshëm se qeveria mund të vendosë të largojë sekretarin dhe ta zëvendësojë atë me administruesin e vet të besuar.
Hapësirat e opozitës në Turqi po zvogëlohen në mënyrë graduale. Ky duket të jetë mesazhi i diktuar nga qeveria që e vendos CHP në një pozicion shumë kompleks. Nga njëra anë, mbetet dëshira për të mbrojtur kandidatin e tyre aktual. Nga ana tjetër, kjo parti duhet të zhvillojë një linjë që e lejon të mbetet në lojë në një periudhë afatgjatë dhe të përpiqet të përfshijë parti të tjera opozitare.
Sidoqoftë, zhvillimet e fundit tregojnë se sa e afërt është pika e moskthimit, madje me dinamika që shkojnë përtej kontekstit të brendshëm. Së pari, qëkur kur Imamoğlu u dërgua në paraburgim, në përpjekje për të stabilizuar ekonominë dhe vlerën e lirës turke, Banka Qendrore harxhoi në vetëm 3 ditë rreth 79 për qind të rezervave valutore të grumbulluara gjatë një viti.
Një nga problemet kryesore me të cilat do të duhet të përballet Turqia në të ardhmen e afërt, është kolapsi i mundshëm i lirës, në një kontekst të krizës së rëndë ekonomike, e cila ka treguar tashmë se e ka dëmtuar besimin e publikut tek qeveria. Për më tepër, kjo situatë duhet të vendoset në një kuadër më të gjerë ndërkombëtar të karakterizuar nga një shkallë e lartë pasigurie.
Sigurisht, rizgjedhja e Donald Trumpit në SHBA, ka legjitimuar një mënyrë të caktuar të të bërit politikë, veçanërisht nga pikëpamja narrative, duke krijuar kushte të favorshme për liderët autoritarë që të ndërmarrin veprime të caktuara pa kosto politike të tepërta.
Tani për tani, nga perspektiva evropiane, kritikat e Brukselit mbeten të kufizuara nga roli vendimtar i industrisë ushtarake turke brenda planit evropian të riarmatimit. Por një përkeqësim i mëtejshëm i shtetit të së drejtës në Turqi, rrezikon të komprometojë marrëdhëniet jetike ekonomike dhe tregtare me vendet e bllokut.
Së fundi, mund të dëmtohet seriozisht besueshmëria ndërkombëtare e Ankarasë si ndërmjetëse politike mbi Ukrainën dhe si lojtare kryesore (gjeo)politike në kontekstin sirian. Si përfundim, situata mbetet e paqartë. Sigurisht, pavarësisht nga ngjarjet e këtyre ditëve që kanë shkaktuar një plagë të thellë në strukturën socio-politike të vendit, ai i “modelit të autokracisë zgjedhore à la Putin”, mbetet çelësi kryesor për interpretimin e ngjarjeve në Turqi.
Nga njëra anë, opozita turke mund të mbështetet ende mbi një rrjet të gjerë dhe fonde të konsiderueshme. Fitorja në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, i ka dhënë mundësi CHP-së të zgjerojë kontrollin e saj mbi bashkitë kryesore të vendit dhe të konfirmojë pakënaqësinë popullore në rritje.
Nga ana tjetër, presidenti duket se është fokusuar vetëm në zhvillimin e një vendi “të varfër dhe të lodhur”, pa marrë parasysh as qëndrueshmërinë demokratike të shoqërisë turke dhe as faktin, që sidomos të rinjtë dhe grupet e izoluara prej kohësh, duket se kanë tani gjithnjë e më pak për të humbur. Në këtë lojë balancash, është e arsyeshme të pritet që Turqia të përjetojë ende netë të gjata tensioni dhe pasigurie./“