​Cilët janë skenarët për seancën e nesërme të Kuvendit?

Pas një muaji pushim, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish të premten në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Një ditë para mbajtjes së seancës

​Cilët janë skenarët për seancën e nesërme të Kuvendit?

Pas një muaji pushim, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish të premten në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Një ditë para mbajtjes së seancës, partitë parlamentare janë të pavendosura sesi do të veprojnë në çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb. Por, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se, në bazë të aktgjykimit, e drejta e propozimit për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb i takon Listës Serbe – si shumica e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvend.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.

KosovaPress ka kontaktuar me të gjitha partitë e mëdha parlamentare, mirëpo në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Partinë Demokratike të Kosovës kanë zgjedhur të heshtin përballë pyetjeve nëse do të votojnë ndonjë prej kandidatëve të Listës Serbe për nënkryetar. Ndërkaq në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate thonë se vendimin përfundimtar do ta marrin nesër pas diskutimeve në grupet parlamentare.

Në LVV më herët kanë deklaruar vazhdimisht se nuk kanë votë për asnjë prej deputetëve të Listës Serbe.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress tha se nesër do të mblidhen në Grupin Parlamentar për të diskutuar për vendimmarrjen e tyre në zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Edhe deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, thotë për KosovaPress se para seancës së nesërme, në mbledhjen e deputetëve të AAK-së do të marrin vendim i cili, sipas tij, do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, ai deklaron se si deputet i AAK-së nuk ka votë për asnjë prej deputetëve të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Madje ai shton se nuk do të votojnë as për Nenad Rashiqin, nëse i njëjti rikandidohet.

“Ne e kemi lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Para seancës do të takohemi si Grup Parlamentar dhe do të konsultohemi. Konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Aleancës do të veprojnë në përputhje me vendimin e Kushtetueses…Besoj që nuk do të ketë votë për asnjërin prej deputetëve të Listës Serbe…Edhe kësaj radhe nuk kemi votë për zotëri Rashiq. I takon partisë fituese t’i sigurojë numrat edhe për nënkryetarët dhe të vazhdohet tutje,” thekson ai.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, deklaron për KosovaPress se ende s’kanë marrë vendim sesi do të veprojnë në seancën e nesërme.

Votimi, sipas saj, do të jetë në relacion me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Votimi ka shkuar në mënyrë konstante në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sa i përket interpretimeve që kanë dalë. Prej krejt dilemave, kemi me votu në relacion me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi politik nuk është ende që ka marrë epilog dhe jemi duke trajtuar krejt situatat,” shton ajo.

E hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, duke interpretuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, thotë se u dëshmua se i njëjti duhet të vijë përmes propozimit të shumicës së deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë, rrjedhimisht Listës Serbe.

Ai tregon edhe skenarët e mundshëm sesi mund të vijojë seanca e nesërme për konstituimin e Kuvendit.

“Dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese thekson nevojën për të vepruar në interesin më të mirë për të mbrojtur Kushtetutën. Në këtë situatë është e qartë se duhet të ketë edhe një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Nënkryetari duhet të vijë përmes propozimit të shumicës së deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë. Kështu është parimi dhe i njëjti duhet të marrë 61 vota. Do të thotë se komuniteti serb ka dhjetë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës – nëntë janë nga një Grup Parlamentar dhe një është i pavarur. Kuptohet se përfaqësimi duhet të vijë nga shumica e minoriteteve, përndryshe nuk ka logjikë që shumica t’ia determinojë pakicës emrin me të cilin do të përfaqësohet…Bëhet një propozim, i njëjti ka të drejtë të bëhet tri herë. Nëse nuk merr shumicën përkatësisht 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, konsiderohet se ai nuk është zgjedhur. Nëse kjo përsëritet tri herë, duhet të kalohet në propozimin e radhës. Gjykata Kushtetuese e përmend edhe nenin 58 të Kushtetutës së Kosovës që ka për qëllim afirmimin e të drejtave të komuniteteve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre…Nuk dua të paragjykoj, por e kemi parë edhe në votimet në të kaluarën sesi është politizuar kjo çështje dhe ka marrë një dimension tjetër…Në këtë situatë, nëse deputetët e kanë më tepër gajle sesi do të duken në publik përkitazi me një çështje të tillë sesa si është rendi kushtetues, ka mundësi të krijojnë dëme të shumëanshme,” thekson ai

Kushtetuesja, në aktgjykimin e 8 tetorit, ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 (Zgjedhja dhe mandati) dhe paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Kuvendi deri tash ka zgjedhur për nënkryetarë Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepin nga minoritetet joserbe.

Ndërkaq, Lista Serbe e ka propozuar Sllavko Simiqin për nënkryetar, por i njëjti nuk i ka marrë votat e nevojshme. Megjithatë, kjo parti ka këmbëngulur vetëm në këtë kandidat.

Më pas, kryetari i zgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, përmes shortit, ka hedhur në votim tetë deputetë serbë, por as ata nuk i kanë marrë votat e nevojshme.

Dimal Basha më pas ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar, por Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj, duke theksuar se institucioni ligjvënës nuk konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur edhe një nënkryetar serb.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk janë formuar institucionet e reja.