I riu Dardan Gashi u v’ra në një lokal në Lipjan, sot në gjykatë zbardhen dëshmi të reja

I riu Dardan Gashi u v’ra në një lokal në Lipjan, sot në gjykatë zbardhen dëshmi të reja

Gjykimi për vrasjen e 22-vjeçarit Dardan Gashi në Lipjan pritet të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në bankën e të akuzuarve është Gazmend Selimi, i cili po përballet me akuzën për vrasje të rëndë në bashkëkryerje. Në të njëjtin rast akuzohet edhe Muhamet Gashi.

Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 5 gusht 2022, në një lokal në Lipjan, ku pas të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë Dardan Gashi. Nga incidenti ishin plagosur edhe dy persona të tjerë.

Sipas aktakuzës, gjithçka kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje mes të përfshirëve në rast. Gazmend Selimi dyshohet se fillimisht e kishte goditur me grusht në fytyrë Dardan Gashin, ndërsa më pas Muhamet Gashi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri.

Nga të shtënat, Dardan Gashi ishte qëlluar në gjoks dhe kishte humbur jetën. Ndërkohë, J.G. kishte pësuar plagë të rënda në bark, ndërsa A.B. ishte lënduar në këmbë.

Pas incidentit, të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Gazmend Selimi ishte dorëzuar më vonë në polici, ku ishte intervistuar dhe ishte dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Në seancën e mbajtur më 2 shtator kishte dëshmuar edhe vëllai i viktimës, ndërsa procedura gjyqësore pritet të vijojë sot me zhvillimet e radhës.

Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim të formës së prerë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.