Deklarata e Kurtit se Serbia po ndikon tek deputetët e Kosovës, cilësohet e rrezikshme
Kosova ka akuzuar Serbinë për ndërmarrjen e hapave konkretë për të sabotuar formimin e institucioneve të reja. Akuzat janë bërë gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e thirrur nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas një komunikate të lëshuar pas mbledhjes, Serbia akuzohet për ndërhyrje flagrante në sovranitetin shtetëror të Kosovës

Kosova ka akuzuar Serbinë për ndërmarrjen e hapave konkretë për të sabotuar formimin e institucioneve të reja.
Akuzat janë bërë gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e thirrur nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Sipas një komunikate të lëshuar pas mbledhjes, Serbia akuzohet për ndërhyrje flagrante në sovranitetin shtetëror të Kosovës, përmes presioneve dhe ndërhyrjeve direkte ndaj përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë e jo serbë, në mënyrë që të pengojë krijimin e institucioneve të reja.
Në komunikatë theksohet se, Serbia ka ndërhyrë jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe Millan Radoiçiqit, por tani po ushtrohet presion edhe mbi deputetët e komuniteteve joshqiptarë.
Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar Kurtin lidhur me mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë për këtë çështje, duke thënë se kryeministri në detyrë po e përdor çdo metodë për ta formuar qeverinë e re.
Lladrovci për Kurtin: Formula “kush nuk është me ne, është kundër nesh”, është e rrezikshme
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, për Front Online ka folur pas thirrjes së Këshillit të Sigurisë nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me akuzat ndaj Serbisë për ndërhyrje flagrante në sovranitetin shtetëror të Kosovës.
Lladrovci ka theksuar se akuzat për presion ndaj komuniteteve jo shumicë dhe jo serbe janë të padrejta.
Ai ka shtuar se, nëse ka fakte për ndërhyrje nga Serbia, është detyrë e organeve përkatëse.
“Nëpërmjet Këshillit të Sigurisë së Kosovës të gjendet fajtori për pengimin e krijimit të institucioneve të reja, është e paqëndrueshme. E konsideroj si presion ndaj pakicave jo serbe, të cilat u vunë indirekt nën fokusin e dyshimeve sikur janë të ndikuara nga Serbia. Nëse paska fakte për këtë, janë organet përkatëse që me detyrë zyrtare i ndjekin këto fenomene negative”, deklaroi Lladrovci.
Lladrovci gjithashtu ka kritikuar formulën e përdorur nga partia në pushtet, duke theksuar se krijimi i ndarjeve brenda shoqërisë kosovare dhe presioni mbi deputetët e komunitetit joserb është i rrezikshëm për stabilitetin e vendit.
“E konsideroj të padrejtë dhe të pandershme këtë lloj presioni nga partia e cila synon ta bëj paketimin e dhjetë deputetëve të komunitetit joserb dhe e shoh si presion ndaj deputetëve të cilët kanë kërkesa për komunitetin e vet, kërkesa mbi të cilat edhe kanë marrë vota. Formula kush nuk është me ne është kundër nesh, është tejet e rrezikshme dhe thellon ndarjen e brendshme të shoqërisë tonë me traditë jo aq të gjatë demokratike”, shprehet Lladrovci për Front Online.
Deputeti i LDK-së: Kurti le të marrë detyrat nga qytetari si parti e parë dhe ta japë versionin e tij
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni, ka thënë se nuk ka shpresa për një ndryshim nga Serbia në politikat ndaj Kosovës.
Sipas Hysenit, Serbia do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të penguar avancimin e Kosovës në çdo drejtim.
‘’Çdo shqiptar nuk pret që të ketë ndonjë qëndrim pozitiv dhe mendoj që çdo herë do të tentojnë të bëjnë veprime për të penguar Kosovën qoftë sigurinë, qoftë sovranitetin apo integrimet dhe gjithçka që lidhet më përparimin e Kosovës’’, ka thënë Hyseni.
Në lidhje me formimin e qeverisë, Hyseni ka shprehur mendimin se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të marrë përgjegjësitë e tij nga qytetari si parti e parë dhe të japë versionin e tij.
“Le të marrë detyrat nga qytetari si parti e parë dhe ta japë versionin e tij “ ,tha ai për Front Online.
Kadrijaj: Kurti po përdor çdo metodë për ta formuar qeverinë, po bie ndesh me deklaratat e tij
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mënyrën se si po tenton të formojë qeverinë e re.
Ajo ka theksuar se Kurti po përdor çdo metodë për të arritur këtë qëllim.
‘’Kurti përdor çdo metodë veç me e formuar qeverinë, mirëpo nuk ka lënë asnjë aleatë as gjatë qeverisjes së tij katër vjeçare”, tha Kadrijaj për Front Online.
Në veçanti, Kadrijaj ka përmendur se edhe gjatë ditëve të fundit të fushatës zgjedhore, Kurti ka vazhduar të ofendojë opozitën, duke i quajtur “hajvanë”.
‘’Edhe gjatë ditëve të fundit të fushatës opozitën i ka quajtur hajvanë, sipas tij të gjithë ata që nuk janë me Kurtin janë hajvan ‘’, deklaroi ajo.
Ajo kujtoi se Kurti kishte thënë se ai e kishte “liruar Mitrovicën” dhe se kishte “ndaluar Listën Serbe”, duke i ulur autoritetin dhe ndikimin politik në këtë pjesë të Kosovës.
‘’Ai po bie ndesh edhe me deklaratat e mëparshme që Kurti e ka liruar Mitrovicën, Kurti ka stopuar listën serbe, ia ka ulur autoritetin ndërsa çfarë po ndodhë tani po bie ndesh me deklaratat e tij’’, përfundoi Kadrijaj.
Analisti Sadiku: Kurti po frikëson minoritetet jo-serbe duke i quajtur pro-serbë nëse nuk janë me LVV-në
Analisti Arbnor Sadiku ka komentuar mënyrën se si Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po tenton të formojë qeverinë e re, duke thënë se thirrja e Këshillit të Sigurisë nga kryeministri në detyrë qëndrim nuk ka për qëllim të tërheqë votat e opozitës.
Sipas Sadikut, Kurti po përdor strategjinë për të frikësuar partitë e minoriteteve jo-serbe, duke sugjeruar se ata që nuk mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje janë “pro-serbë”.
‘’Këtë e ka bërë që ti frikësojë partitë minoritetet jo serbe duke thënë në një mënyrë se ata që nuk janë më LVV-në janë pro-Serbisë’’, përfundoi ai për Front Online.