Raport mbi praktikat e ujit Nestlé në Francë, denoncohet “mashtrim masiv”

Një hetim i Senatit francez mbi praktikat e prodhuesve të ujit të ambalazhuar nxjerr në pah një skandal të madh lidhur me përpunimin e paligjshëm të disa ujërave minerale, ku kryesisht akuzohet Nestlé Waters dhe qeveria franceze për fshehje të kësaj situate. Raportuesi i komisionit të Senatit për hetimin e ujit të ambalazhuar ka denoncuar […] The post Raport mbi praktikat e ujit Nestlé në Francë, denoncohet “mashtrim masiv” appeared first on Albinfo.

Raport mbi praktikat e ujit Nestlé në Francë, denoncohet “mashtrim masiv”

Një hetim i Senatit francez mbi praktikat e prodhuesve të ujit të ambalazhuar nxjerr në pah një skandal të madh lidhur me përpunimin e paligjshëm të disa ujërave minerale, ku kryesisht akuzohet Nestlé Waters dhe qeveria franceze për fshehje të kësaj situate.

Raportuesi i komisionit të Senatit për hetimin e ujit të ambalazhuar ka denoncuar “sigurinë e rreme” në trajtimin e ujit mineral nga Nestlé Waters, një degë e gjigantit me bazë në Vevey. Ai ka kritikuar edhe refuzimin e drejtuesve të kompanisë për të përgjigjur pyetjeve të senatorëve gjatë seancave dëgjimore.

“Uji duhet trajtuar nëse ka një problem; nuk mund të bëjmë shaka duke shkatërruar produkte pas faktit. Nuk e konsideroj të sigurt,” theksoi raportuesi Alexandre Ouizille në France Inter. Ai tregoi se “2 milionë shishe janë shkatërruar disa vjet më parë, dhe qindra mijëra vetëm muajt e fundit” për shkak të kontaminimit me baktere E.coli, pesticide dhe PFAS (ndotës të qëndrueshëm), veçanërisht në ujin Perrier.

“Edhe pse sot ka filtrim për eliminimin e këtyre baktereve, kjo është një siguri e rreme,” shtoi deputeti, duke bërë paralelizmin me rastin “Buitoni,” ku pica të kontaminuara shkaktuan vdekjen e dy fëmijëve. Ai tha se nuk dihet “kur ka nisur, ndoshta dekada më parë,” dhe shprehu keqardhjen që “nuk është kryer asnjë hetim i brendshëm për të kuptuar zinxhirin e përgjegjësive.”

Mashtrim me vlerë 3 miliardë euro

Sipas raportuesit, “ka problem me ujin e papërpunuar” që përdoret nga Nestlé Waters. “Ky ujë duhet filtruar si uji i rubinetit,” ndërsa emërtimi “ujë mineral natyral” nënkupton ujë të pa trajtuar kimikisht. “Bëhet fjalë për një mashtrim masiv,” me vlerë rreth 3 miliardë euro sipas Agjencisë Kundër Mashtrimit. Megjithatë, Nestlé refuzon të heqë dorë nga kjo emërtim, që i lejon ujit të shitet “100 deri në 400 herë më shtrenjtë se uji i rubinetit.”

Senatori deklaroi këto në një intervistë në France Inter para konferencës për shtyp për prezantimin e raportit, gjashtë muaj pas krijimit të komisionit hetimor. Ky hetim erdhi pas zbulimeve të mediave franceze mbi përdorimin e trajtimeve të ndaluara në ujërat minerale natyrale dhe burimore, si Perrier, Vittel, Contrex dhe Hépar, transmeton albinfo.ch.

Komisioni ka marrë në pyetje shumë drejtues, përfshirë Laurent Freixe (Drejtor i Përgjithshëm i Nestlé) dhe Muriel Lienau (kryetare e Nestlé Waters), si dhe përfaqësues të ministrive. “Dëgjimet kanë shkuar keq,” tha Ouizille, duke denoncuar “refuzimin për t’u përgjigjur” nga drejtuesit.

Mashtrim i fshehur nga shteti

Raportuesi kritikon edhe “një logjikë transaksionale” të shtetit me Nestlé, duke thënë se shteti ka “fshehur këtë mashtrim” në vend që të mbrojë interesin publik. “Elysée (presidenca franceze) është në dijeni që nga 2022, ministria e Industrisë që nga 2021,” theksoi ai. Çështja u bë publike vetëm pas hetimeve gazetareske të janarit 2024. “Falë sinjalizuesve dhe medias që zbuluan skandalin.”

Një tjetër problem i evidentuar është një raport shëndetësor i nëntorit 2023, ku “pjesë të tëra pozitive” u shtuan në kërkesë të kompanisë, e cila u bë “bashkëautor dhe cenzor,” sipas raportuesit. Referencat për bakteret dhe PFAS u hoqën. Shërbimi që e përgatiti raportin kërkoi të heqë firmën e tij. “Kjo kërkon masa ndëshkuese,” theksoi Ouizille.

Raporti përfundimtar, pjesë të të cilit u publikuan të hënën, konstaton se “fshehja e kësaj situate është pjesë e një strategjie të qëllimshme, e nisur që në takimin e parë ndërministror më 14 tetor 2021.” Pas gati katër vitesh, “transparenca ende mungon.”

 

The post Raport mbi praktikat e ujit Nestlé në Francë, denoncohet “mashtrim masiv” appeared first on Albinfo.