Dënohet Elseid Hysaj, Gjykata italiane rrëzon kërkesën e tij

Pas më shumë se pesë vitesh përballjeje ligjore, drejtësia italiane i ka dhënë fund njërit prej kapitujve më të tensionuar në historinë moderne të Napolit. Gjykata e Kasacionit ka vendosur përfundimisht në favor të klubit napolitan lidhur me çështjen disiplinore që lindi në nëntor të vitit 2019. Në qendër të vendimit është Elseid Hysaj, mbrojtësi […]

Dënohet Elseid Hysaj, Gjykata italiane rrëzon kërkesën e tij

Pas më shumë se pesë vitesh përballjeje ligjore, drejtësia italiane i ka dhënë fund njërit prej kapitujve më të tensionuar në historinë moderne të Napolit. Gjykata e Kasacionit ka vendosur përfundimisht në favor të klubit napolitan lidhur me çështjen disiplinore që lindi në nëntor të vitit 2019.

Në qendër të vendimit është Elseid Hysaj, mbrojtësi shqiptar që sot mbron ngjyrat e Lazios. Ai është dënuar me 40 mijë euro gjobë dhe do të duhet të mbulojë gjithashtu kostot e procesit gjyqësor.

Gjithçka nisi më 5 nëntor 2019, pas një barazimi me Salzburgun në Champions League. Si reagim ndaj formës jo të mirë të skuadrës, drejtuesit e Napolit vendosën një grumbullim të detyruar, por disa lojtarë, përfshirë Hysajn, refuzuan urdhrin, duke shkaktuar një përplasje të fortë me klubin. Trajner në atë kohë ishte Carlo Ancelotti.

Ndërsa pjesa më e madhe e lojtarëve gjetën një kompromis me presidentin De Laurentiis pas ndërhyrjes së Kolegjit Arbitral në vitin 2021, Hysaj zgjodhi të vazhdonte betejën ligjore deri në instancën më të lartë të drejtësisë.

Tani, me vendimin e Gjykatës së Kasacionit, saga ka marrë fund. Napoli fiton të drejtën për të ndëshkuar lojtarët që shkelin disiplinën e brendshme, ndërsa Hysaj përballet me pasojat financiare të vendimit të tij për të mos hequr dorë.