Elton John kundër qeverisë britanike: Planet për IA-në rrezikojnë artistët dhe krijimtarinë

Këngëtari e pianisti britanik, Elton John, akuzoi të dielën qeverinë britanike për “vjedhje”, pasi ajo ka propozuar që kompanitë teknologjike të mund të trajnojnë modelet e inteligjencës artificiale (IA) mbi përmbajtjen muzikore dhe krijuese të Britanisë, pa garantuar kompensim të drejtë për autorët. Industria kreative në mbarë botën po përballet me sfidat ligjore dhe etike [...]Read More...

Elton John kundër qeverisë britanike: Planet për IA-në rrezikojnë artistët dhe krijimtarinë

Këngëtari e pianisti britanik, Elton John, akuzoi të dielën qeverinë britanike për “vjedhje”, pasi ajo ka propozuar që kompanitë teknologjike të mund të trajnojnë modelet e inteligjencës artificiale (IA) mbi përmbajtjen muzikore dhe krijuese të Britanisë, pa garantuar kompensim të drejtë për autorët.

Industria kreative në mbarë botën po përballet me sfidat ligjore dhe etike që paraqet përdorimi i modeleve të inteligjencës artificiale, të cilat mund të krijojnë vepra të reja pas trajnimit mbi materiale ekzistuese.

Britania, të cilën kryeministri Keir Starmer synon ta shndërrojë në një superfuqi të inteligjencës artificiale, ka propozuar lehtësimin e ligjeve të të drejtës së autorit, duke lejuar zhvilluesit e IA-së të përdorin çdo material për të cilin kanë qasje të ligjshme për qëllime trajnimi. Kjo do të kërkonte që krijuesit të deklarojnë në mënyrë aktive se nuk duan që puna e tyre të përdoret, përndryshe ajo do të përfshihej automatikisht në bazat e të dhënave të trajnimit.

Emrat më të mëdhenj të industrisë, përfshirë Elton John, Paul McCartney, Andrew Lloyd Webber, Ed Sheeran dhe të tjerë, i kanë bërë thirrje qeverisë të ndryshojë drejtimin, duke paralajmëruar se ky propozim do ta bëjë edhe më të vështirë për të rinjtë që të sigurojnë jetesën në industrinë krijuese.

“Rreziku është për artistët e rinj, ata nuk kanë mundësi financiare që të kontrollojnë vazhdimisht apo të përballen me gjigantët e teknologjisë”, tha Elton John për BBC. “Është kriminale dhe ndihem thellësisht i tradhtuar”.

“Një makinë… nuk ka shpirt, nuk ka zemër, nuk ka ndjenja njerëzore, nuk ka pasion. Qeniet njerëzore, kur krijojnë diçka, e bëjnë këtë… për t’u sjellë kënaqësi shumë njerëzve”, shtoi ai.