Deputetët e PDK-së bllokojnë hyrjen e Qeverisë, Çitaku: S’jemi këtu për puç, por respektoni Kushtetutën!

Deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës kanë shkuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës që në orët e para të mëngjesit, duke pritur kryeministrin Albin Kurti.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është deklaruar para mediave duke akuzuar
Çitaku kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po i “uzurpon” zyrat e Qeverisë dhe tha se ai duhet të jetë në Kuvend, bashkë me deputetët, për ta konstituuar këtë institucion dhe për të formuar Qeverinë.
“Ne jemi këtu me një qëllim të vetëm, të kërkojmë rivendosjen e ligjit kushtetues dhe demokratik në vend. Kjo ndërtesë këtu është Qeveria e Kosovës, dhe në të cilën unë, përfshirë Enverin dhe shumë prej jush, kemi pasur nderin të shërbejmë. S’ka privilegj më të madh sesa të kesh mundësinë t’i shërbesh vendit tënd, por s’ka edhe krim më të madh sesa kur besimi i qytetarëve keqpërdoret dhe zyrat e popullit uzurpohen. Këto zyra janë të uzurpuara nga një deputet dhe, nëse ai s’ka të drejtë të jetë aty, s’kemi të drejtë as ne. Dhe e dyta, ai duhet të jetë në Kuvend, aty bashkë me ne, për ta themeluar institucionin, për ta konstituuar Kuvendin. Nuk jemi ne këtu me ba puç. Ne jemi këtu me i thanë z. Albin Kurtit: eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërtoje Qeverinë dhe ecim tutje”, deklaroi Çitaku.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Qeveria nuk është legjitime, ndërsa Kurtin e ka quajtur “deputet uzurpator” që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit.
“Kjo çfarë po ndodh në Kuvend në këta 18 muajt e fundit dhe në javën e fundit është se ne nuk e kemi një qeveri legjitime. Kjo qeveri nuk është legjitime, ky njeri nuk është kryeministër, është një deputet zaptues, është një deputet uzurpator, i cili e ka uzurpuar zyrën e kryeministrit dhe merr vendime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin. Rendi kushtetues rikthehet kur seancat e Kuvendit mbahen sipas ciklit që duhet të mbahen.”
Hoxhaj ka thënë se që nga 7 korriku Kurti nuk është kryeministër, por deputet i certifikuar.
“Prej 7 korrikut deri më tash, kur ne po qëndrojmë këtu, Kurti nuk është kryeministër, por deputet i certifikuar.”, ka thënë Hoxhaj.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



