Detaje shokuese për arratisjen e Gruevskit, nuk iku nga Shkupi, por nga një hotel në Ohër(VIDEO)

Detaje shokuese për arratisjen e Gruevskit, nuk iku nga Shkupi, por nga një hotel në Ohër(VIDEO)

Detaje të reja janë publikuar lidhur me arratisjen e ish-kryeministrit Nikola Gruevski drejt Hungarisë në nëntor të vitit 2018.

Në një emision në Kanal5, Aleksandar Malenko ka deklaruar se Gruevski nuk u largua nga shtëpia e tij në Shkup, siç është besuar deri më tani, por nga hoteli “Royal View” në Ohër, i vendosur në bregun e Liqenit të Ohrit, përcjell INA.

Sipas Malenkos, arratisja ka ndodhur më 10 nëntor 2018, rreth orës 02:40 pas mesnate. Ai pretendon se personalisht ka hapur garazhin e hotelit për largimin e Gruevskit, i cili është nisur me një veturë “Passat”, të drejtuar nga shoferi i tij, ndërsa në automjet ndodheshin edhe pjesëtarë të sigurimit personal.

Familja e Gruevskit – bashkëshortja dhe vajzat – sipas tij, kanë mbetur në hotel dhe kanë vazhduar qëndrimin e planifikuar.

Malenko pohon se Gruevski kishte mbërritur në Ohër tre ditë më herët, më 7 nëntor 2018 në mbrëmje, me dy automjete: një automjet të MPB-së nga Drejtoria e Gjashtë për sigurim dhe përcjellje, si dhe veturën e tij private me shofer dhe sigurim.

Ai thotë se familja Gruevski ishte pritur në garazhin e hotelit dhe se qëndrimi ishte paralajmëruar sipas protokolleve të MPB-së si vizitë e mysafirëve VIP, pa u bërë i ditur identiteti i tyre, në përputhje me procedurat standarde të sigurisë.

Më vonë, Gruevski arriti në Budapest të Hungarisë në rrethana që vazhdojnë të mbeten të paqarta, pasi paraprakisht kishte kaluar përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Për arratisjen e tij në Maqedoninë e Veriut u hap hetim, por deri më sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.