Këta janë dy të dyshuarit për sulmin ndaj 37-vjeçares në Mitrovicë – partneri i saj dhe vëllai i tij përfundojnë në mbajtje

Sinjali ka siguruar identitetet e dy personave të dyshuar për sulmin ndaj një 37-vjeçareje në Mitrovicë të Jugut, e cila si pasojë e goditjeve ka pësuar frakturë në hundë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Orhan Bajramin, 44-vjeçar, dhe Sulejman Bajramin, 50-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima, V. R., ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi të vjetër është sulmuar fizikisht nga Orhan Bajrami, me të cilin është në lidhje dhe bashkëjeton prej rreth tetë vitesh.
Në të njëjtën kohë, sipas denoncimit të saj, në sulm dyshohet se është përfshirë edhe vëllai i partnerit, Sulejman Bajrami.
Si pasojë e goditjeve, 37-vjeçarja ka pësuar frakturë në hundë dhe ka marrë trajtim mjekësor.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me rekomandimin e të cilit të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Rasti po hetohet si “Lëndim i rëndë trupor”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



