E dhimbshme: Dy boksierë japonezë ndërruan jetë pas lëndimeve në tru

Dy boksierë japonezë, Shigetoshi Kotari dhe Hiromasa Urakawa, kanë ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda në tru, të pësuara më 2 gusht në përballje të ndara, por të zhvilluara në të njëjtën mbrëmje në sallën Korakuen të Tokios. Të dy ishin 28-vjeçarë dhe iu nënshtruan menjëherë operacioneve për hematomë subdurale, por nuk arritën […]

E dhimbshme: Dy boksierë japonezë ndërruan jetë pas lëndimeve në tru

Dy boksierë japonezë, Shigetoshi Kotari dhe Hiromasa Urakawa, kanë ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda në tru, të pësuara më 2 gusht në përballje të ndara, por të zhvilluara në të njëjtën mbrëmje në sallën Korakuen të Tokios.

Të dy ishin 28-vjeçarë dhe iu nënshtruan menjëherë operacioneve për hematomë subdurale, por nuk arritën të mbijetojnë. Kotari ndërroi jetë të premten, ndërsa Urakawa të shtunën.

Urakawa u nokautua nga Yoji Saito, ndërsa Kotari e përfundoi duelin me Yamato Hatan pas 12 raundesh, meç që përfundoi barazim, por me pasoja fatale për të.

Organizata Botërore e Boksit dhe Këshilli Botëror i Boksit (WBC) kanë reaguar përmes deklaratave zyrtare, duke shprehur ngushëllime për humbjet e rënda.

“U shprehim ngushëllimet më të thella familjeve, miqve dhe komunitetit japonez të boksit”, thuhet në deklaratën e WBO-së.

“WBC dhe presidenti Mauricio Sulaiman shprehin ngushëllime për këtë humbje të pariparueshme, teksa urojnë që familjarët dhe miqtë të gjejnë forcë gjatë kësaj kohe të vështirë”, shtoi WBC.