Cila është ora më e mirë për të ngrënë darkë? Ja çfarë thotë shkenca

Koha kur hamë mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo që konsumojmë.
Studime të ndryshme sugjerojnë se vakti i mbrëmjes është më mirë të konsumohet më herët, pasi ora biologjike ndikon në mënyrën se si trupi e përpunon ushqimin.
Sipas hulumtimeve mbi të ashtuquajturin krononutricion, trupi nuk reagon njësoj ndaj ushqimit në mëngjes dhe në mbrëmje. Ritmi cirkadian ndikon në tretje, metabolizëm, nivelin e sheqerit në gjak dhe hormonet që rregullojnë urine, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Një studim ka treguar se organizmi e përpunon më pak efikasishëm glukozën kur ajo konsumohet vetëm një orë para gjumit, krahasuar me katër orë më herët. Në mbrëmje, rritja e melatoninës, hormonit që përgatit trupin për gjumë, mund të ndikojë negativisht në kontrollin e sheqerit në gjak.
Darka, të paktën tre orë para gjumit
Sipas përfundimeve të përmbledhura në material, nuk ekziston një orë universale që është ideale për të gjithë, pasi ndikojnë edhe orari i gjumit dhe ritmi biologjik i secilit person.
Megjithatë, rekomandimi praktik është që darkën ta konsumojmë të paktën tri orë para se të shkojmë në shtrat.
Po ashtu, këshillohet që vakti më i madh të konsumohet më herët gjatë ditës, ndërsa darka të jetë më e lehtë dhe të përmbajë burime proteinash.
Ekspertët sugjerojnë gjithashtu që ushqimet e pasura me fibra, si drithërat e plota, bishtajoret dhe frutat, të konsumohen më herët gjatë ditës, kur trupi është më i aftë t’i përpunojë.
Në mbrëmje, ushqime si arrat dhe farat, si dhe burimet e proteinave që përmbajnë triptofan, përfshirë pulën dhe peshq të caktuar, mund të jenë zgjedhje të përshtatshme.
Në përgjithësi, mesazhi kryesor i hulumtimeve është i thjeshtë: mos e lini vaktin kryesor për orët e vona të natës dhe përpiquni ta përfundoni darkën disa orë para gjumit.
Burimi i lajmit: klankosova.tv
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



