Sa mund të ndryshojnë dënimet e ish-krerëve të UÇK-së në Apel?

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë shpalli fajtorë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për katër akuza për krime lufte, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Por, me shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, beteja ligjore nuk ka përfunduar.
Tash vëmendja pritet të përqendrohet te procedura e Apelit, ku mbrojtja mund ta kundërshtojë aktgjykimin dhe të kërkojë ndryshimin apo anulimin e pjesëve të tij. Në këtë fazë, një nga çështjet kryesore mbetet se deri në çfarë mase mund të ndërhyjë Apeli në konstatimet dhe dënimet e shkallës së parë, shkruan Bota Sot.
Ekspertët juridikë vlerësojnë se procedura e ankesës mund të sjellë ndryshime në aktgjykim, përfshirë edhe në dënime apo në disa nga konstatimet e shkallës së parë, varësisht nga argumentet dhe çështjet që do të paraqiten para Panelit të Apelit.
Po ashtu, ata theksojnë se të drejtën e ankesës nuk e ka vetëm mbrojtja. Edhe Prokuroria mund të kundërshtojë pjesë të aktgjykimit, përfshirë vendimet lirues, por edhe çështje që lidhen me llojin apo lartësinë e dënimeve.
Apeli mund të ndryshojë aktgjykimin në Hagë, Halilaj: Edhe Prokuroria ka të drejtë ankese
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për mundësitë që kanë palët pas aktgjykimit, duke theksuar se mbrojtja ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin dhe të kërkojë ndryshimin apo anulimin e pjesëve të tij.
“Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, tash vëmendja duhet të jetë te procedura e Apelit dhe te mundësia që vendimi i shkallës së parë të ndryshojë. Sipas ligjit, mbrojtja ka të drejtë ta kundërshtojë aktgjykimin dhe të kërkojë ndryshimin ose anulimin e pjesëve të tij që i konsideron të pabazuara apo të kundërligjshme. Në Apel mund të shqyrtohen çështje që lidhen me zbatimin e ligjit, vlerësimin e provave dhe procedurën gjyqësore, prandaj dënimet mund të ulen, mund të ndryshohen pjesërisht, ndërsa në raste të caktuara mund të ndryshojnë edhe disa nga konstatimet e shkallës së parë. Megjithatë, asnjëra nga këto mundësi nuk mund të merret si e sigurt, sepse vendimi përfundimtar i takon Panelit të Apelit dhe bazohet në argumentet që paraqiten gjatë procedurës”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Halilaj ka theksuar se procesi duhet të trajtohet në aspektin juridik dhe institucional, duke respektuar të drejtën e të akuzuarve për ankesë dhe një proces të rregullt.
“Për mua, është e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet në mënyrë juridike dhe institucionale, pa paragjykime dhe pa presion politik. Unë e përkrah Gjykatën Speciale dhe besoj se vendimet e saj duhet të respektohen përderisa janë pjesë e një procesi gjyqësor, por njëkohësisht edhe të respektohet e drejta e të akuzuarve për ankesë dhe për një proces të rregullt. Prandaj, duhet të presim vendimin e Apelit dhe të shohim se cilat pjesë të aktgjykimit do të mbeten në fuqi, cilat mund të ndryshohen dhe cili do të jetë vendimi përfundimtar për katër ish-pjesëtarët e UÇK-së”, ka theksuar ai.
Tutje, Halilaj ka vënë në dukje se të drejtën e ankesës nuk e ka vetëm mbrojtja, por edhe Prokuroria, e cila mund të kundërshtojë pjesët e aktgjykimit ku të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm.
“Edhe dua të shtoj se edhe Prokuroria ka të drejtë ankese përkitazi me pikat e aktgjykimit lirues, që të ndryshohen, gjegjësisht të shpallen fajtorë.
Po ashtu, edhe për pikat me të cilat janë shpallur fajtorë, mund të ketë ankesë përkitazi me llojin dhe lartësinë e dënimeve. Andaj, Gjykata e Apelit edhe mund të ndryshojë në dëm të të akuzuarve”, ka shtuar Halilaj për “Bota sot”.
Burjani: Mbrojtja duhet të punojë për gjetjen e fakteve, shteti duhet të përkrahë me ekipe profesionale
Kurse, juristi Blerim Burjani për “Bota sot” ka thënë se rezultati i procesit të ankesës do të varet në masë të madhe nga puna dhe përgatitja e mbrojtjes, ndërsa ka theksuar se ende nuk mund të dihet se sa mund të ndryshojë dënimi.
“Varet sa do të jetë e përgatitur mbrojtja – pra, duhet punuar më shumë për të gjetur fakte për të ndryshuar verdiktin gjyqësor. Ulja e dënimit do të ndodhë, por sa? Kjo ende nuk dihet para se të fillojë dhe të zhvillohet procesi përmes ankesës. Pra, duhet punuar shumë për të gjetur fakte të konsiderueshme që të ndodhë lirimi i çlirimtarëve”, ka deklaruar Burjani.
Ai e ka cilësuar situatën si shumë serioze, duke kërkuar që edhe shteti të angazhohet në mbështetje të mbrojtjes, përmes ekipeve profesionale.
“Situata është shumë serioze, andaj edhe shteti duhet të përkrahë me ekipe profesionale për të arritur qëllimin e lirimit”, ka thënë Burjani./Bota Sot
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



