Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Bernës me Koncertin e Pavarësisë
Ky koncert festiv shënoi një një pikë referimi në promovimin e mirëfilltë artistik të Kosovës në skenën ndërkombëtare The post Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Bernës me Koncertin e Pavarësisë appeared first on Albinfo.

Filharmonia e Kosovës dhuroi një paraqitje dinjitoze dhe mbresëlënëse në një nga skenat më prestigjioze evropiane, duke sjellë një koncert festiv Casino Bern, në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në prani të mbi 1000 spektatorëve, në mesin e të cilëve diplomatë, personalitete të shquara kulturore dhe anëtarë të diasporës shqiptare, orkestra performoi me mjeshtëri artistike, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në skenën muzikore zvicerane.
Një ngjarje që bashkoi diplomacinë dhe kulturën
Koncerti, i cili u organizua në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, mblodhi mbi 80 diplomatë dhe përfaqësues të ambasadave të ndryshme, si dhe personalitete të institucioneve zvicerane. Një nga të ftuarat e veçanta ishte Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, e cila vlerësoi koncertin si një moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës kosovare në arenën ndërkombëtare.
Mbrëmja u hap me intonimin solemn të himneve kombëtare të Kosovës dhe Zvicrës, duke krijuar një atmosferë të lartë festive. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Shkëlqesia e Tij Mentor Latifi, në fjalimin e tij përshëndetës, theksoi lidhjet e forta mes diasporës shqiptare dhe atdheut.
“Të dashur bashkatdhetarë, prania juaj sot këtu tregon qartë lidhjen e fortë që mbani me vendlindjen. Ju mbeteni një nga shtyllat kryesore të zhvillimit dhe mirëqenies së vendit tonë. Dëshiroj të falënderoj secilin prej jush për përkushtimin që tregoni, duke mbajtur gjallë lidhjen me Kosovën, duke ua mësuar fëmijëve tuaj gjuhën tonë amtare dhe duke investuar për të forcuar dhe zhvilluar më tej republikën tonë. Ishte një rrugë e gjatë deri këtu. Shumë prej jush para 26 apo 27 viteve mund të keni qenë në Bernë, por jo për ndonjë koncert.
Asokohe, ju demonstronit për lirinë e Kosovës dhe senzibilizonit botën mbi gjendjen e padurueshme në Kosovë. Pothuaj asgjë tjetër nuk mund të tregojë më mirë respektin për rrugën tonë se sa muzika (klasike). Sepse, siç thoshte shkrimtari i madh francez, Victor Hugo, “muzika shpreh atë që nuk mund të thuhet dhe për të cilën është e pamundur të heshtësh”,” tha ai.
Muzika, gjuha e shpirtit që bashkon kulturat
Në dirigjimin e maestro Antoine Marguier, koncerti ofroi një program artistik të larmishëm. Pjesa hapëse, “Baresha” e kompozitorit Rexho Mulliqi, ngjalli emocione të forta, duke pasqyruar trashëgiminë e pasur muzikore shqiptare. Mbrëmja spikati me interpretimin brilant të sopranos së njohur Besa Llugiqi, e cila magjepsi publikun me ariet klasike “Un bel dì vedremo” nga “Madama Butterfly” dhe “È strano… Sempre libera” nga “La Traviata” e Giuseppe Verdit. Llugiqi përmbushi natën me emocione të thella me interpretimin e këngës “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.
Orkestra vazhdoi me Koncertin për saksofon, harqe dhe perkusion të Valton Beqirit, ku solisti Vitaly Vatulya shkëlqeu me mjeshtrinë e tij virtuoz. Interpretimi i uverturës së operës “Nabucco” të Verdit dhe Simfonisë nr. 2 të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj e mbushi sallën me tinguj madhështorë. Finalja e koncertit solli një interpretim magjepsës të suitës nr. 2 nga “The Three-Cornered Hat” e Manuel de Falla-s, duke lënë publikun në ovacione.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij koncerti dhe vitit jubilar për orkestrën:
“Filharmonia e Kosovës është në një vit jashtëzakonisht të veçantë, është në 25-vjetorin e themelimit, është dashur shumë punë të arrijmë deri këtu. Më parë, edhe pse ka ekzistuar dëshira të ishim afër diasporës dhe në diasporë, jam shumë i lumtur që ne kemi bërë këtë koncert dhe shpresoj që të gjithë bashkatdhetarëve i ka pëlqyer. Sonte jo rastësisht e kemi ftuar një dirigjent zviceran për të dirigjuar me orkestrën si një shenjë falënderimi për shtetin e Zvicrës që shumë gjatë me vite ka qenë përkrahësja jonë.”
Një mesazh i fuqishëm nga Berna për Kosovën
“Kur shoh rritjen dhe zhvillimin e vajzës sime, e cila ka lindur në të njëjtin vit me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, shoh shumë ngjashmëri me shtetin tonë. Ashtu si ajo po rritet me më shumë vetëbesim, edhe Kosova po bëhet më e pavarur dhe më e fortë në arenën ndërkombëtare,” tha ambasadori Latifi.
Pas përfundimit të çdo interpretimi muzikor, publiku shpërthente në duartrokitje të gjata dhe ovacione, duke shprehur kështu emocionet dhe admirimin për interpretimet mahnitëse të orkestrës dhe solistëve.
Ky koncert festiv shënoi një nga momentet më të rëndësishme kulturore për diasporën shqiptare në Zvicër dhe një pikë referimi në promovimin e mirëfilltë artistik të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Performanca e Filharmonisë së Kosovës ishte një manifestim i vlerave dhe trashëgimisë kulturore që mbetet e gjallë në zemrat e shqiptarëve kudo në botë.
(Fotot: Arben Llapashtica)
The post Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Bernës me Koncertin e Pavarësisë appeared first on Albinfo.