Sela: Fitorja në Bërvenicë hap rrugën për fitoren e Butelit, reagon Kostovski

Fitorja e kandidatit shqiptar, Arkin Jahiji, në komunën e Bërvenicës, ka ngjallur reagime dhe përplasje edhe në nivel më të lartë dhe më të gjërë. Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, duke uruar për fitoren e Jahijit, ka kërkuar që të rikthehet Kërçova dhe të fitohet për herë të parë nga një shqiptarë edhe Komuna e Butelit.
“Urime gjithë shqiptarëve në Komunën e Bërvenicës për fitoren e sotme që u arrit me shumë vendosmëri, mund e përkushtim. Mirënjohje pa fund për mërgatën që edhe një herë dëshmoi fuqinë dhe atdhedashurinë. Fitorja në Bërvenicë është një sihariq i madh, që duhet t’i prijë një pune po aq të rëndësishme që na pret të gjithëve, për rikthimin edhe të Kërçovës dhe fitores në Butel”, ZIADIN SELA, KRYETAR I LIDHJES SHQIPTARE.
Por ky postim, siç duket, e ka shqetësuar kryetarin aktual të Butelit, Darko Kostovski, i cili ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale përmes një statusi, duke përdorur madje edhe terma nga sportet luftarake.
“Ziadin Sela ka shkruar se Buteli është i radhës. Po, i radhës për një nokaut edhe më të rëndë, nga i cili do tju ushtojnë veshët për gjashtë muaj! Buteli nuk është pre dhe as nuk ka vend për banditë që sillen rrugëve dhe çdo hapësirë të gjelbër e shohin si mundësi për të ndërtuar një ndërtesë të re. Ajo periudhë ka përfunduar”, DARKO KOSTOVSKI, KRYETAR I BUTELIT.
Kostovski nuk u ndal me kaq. Ai theksoi se zhvillimi i Butelit nuk do të pengohet nga, siç i quajti, “njerëz me mentalitet të shekullit XIX”, ndërsa Selën e cilësoi si të dobët në matematikë. Por, meqë matematika dhe sportet luftarake u bënë pjesë e këtij debati, llogaritë përfundimtare duket se do të bëhen pas tre vitesh, në zgjedhjet e ardhshme lokale. Atëherë do të shihet kush i ka bërë llogaritë saktë dhe kush do të detyrohet të numërojë deri në dhjetë sekonda, si pas një nokauti në ringun politik./Samir Mustafa /SHENJA/
The post Sela: Fitorja në Bërvenicë hap rrugën për fitoren e Butelit, reagon Kostovski appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



