Gjermani/ Konservatorët dhe social-demokratët fillojnë bisedimet e para për krijimin e koalicionit qeverisës

Përfaqësuesit e lartë të kristian-demokratëve konservatorë dhe social-demokratëve në Gjermani filluan sot bisedimet paraprake për krijimin e një koalicioni qeverisës. Por këto dy parti, me dallime të thella ideologjike dhe politike, që janë zotuar se nuk do të qeverisin me partinë e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë, i pret një proces i ndërlikuar negociatash për [...]Read More...

Gjermani/ Konservatorët dhe social-demokratët fillojnë bisedimet e para për krijimin e koalicionit qeverisës

Përfaqësuesit e lartë të kristian-demokratëve konservatorë dhe social-demokratëve në Gjermani filluan sot bisedimet paraprake për krijimin e një koalicioni qeverisës.

Por këto dy parti, me dallime të thella ideologjike dhe politike, që janë zotuar se nuk do të qeverisin me partinë e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë, i pret një proces i ndërlikuar negociatash për të hartuar një program qeverisës që do të ringjallte ekonominë.

Friedrich Merz, drejtues i bllokut konservator, që doli i pari në zgjedhjet e së dielës, tha se synon ta krijojë qeverinë deri më 20 prill, një afat kohor që konsiderohet si shumë i ngushtë për shkak të dallimeve ndërmjet partive.

Vështirësitë mund të shtohen duke patur parasysh stilin e ashpër të Merz, që tashmë është kritikuar nga partnerët e tij të mundshëm.

“Të dyja palët duhet të përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Duhet të flasim dhe të lëvizim përpara. Nuk dua të flas për tema të veçanta para bisedimeve. Besimi duhet të jetë shtylla kryesore. Na duhet të nxjerrim mësime nga qeveria aktuale që dështoi. Konfliktet e përhershme jo vetëm dëmtojnë ata që janë të përfshirë, por dëmtojnë edhe demokracinë. Na duhet vullneti për të punuar bashkë. Nuk duhet të përqendrohemi në përfitimet partiake, por në zgjidhjen e problemeve të mëdha, për ta çuar ekonominë përpara, që t’u japim njerëzve siguri ekonomike dhe sociale”, deklaroi zyrtarja social-demokrate, Manuela Schwesig.